Lajme

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL “pre e kalkulimeve politike”


Ilustrim.

Më 17 nëntor, policia e Kosovës edhe një herë ka shprehur gatishmëri të jetë anëtare e INTERPOL-it sepse ka konsideruar se i plotëson të gjitha kriteret e nevojshme, por kërkesa për aplikim në INTERPOL është e varur nga Qeveria e Kosovës.

Edhe profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Besfort Rrecaj, për Albanian Post thotë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka rënë pre e kalkulimeve politike.

“Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka rënë pre e kalkulimeve politike pasi që Kosova i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim të përcaktuar më Kushtetutën e INTERPOL-it”, është shprehur Rrecaj.

Ai si zgjidhje po e konsideron organizimin e një kampanje efektive lobuese.

“Kosova duhet të kujdeset që të organizojë një kampanjë efektive lobuese duke marrë garancione nga shtetet anëtarë që do të përkrahin anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”.

Rrecaj, tutje sqaron edhe rëndësinë e Kosovës që të anëtarësohet në INTERPOL.

“Në një botë gjithnjë e më shumë të integruar kërkohet bashkëpunim sa më i madh në parandalimin dhe ndriçimin e veprave penale, përmes bashkëpunimit në forenzikë, ndarje të informacionit, organizimit të aksioneve të përbashkëta”.

INTERPOL.

Po ashtu, konsideron që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL duhet të shihet edhe si përfitim për të gjithë anëtarët e kësaj organizate.

“Anëtarësimi i Kosovës duhet të shihet edhe si përfitim për të gjithë anëtarët tjerë të kësaj organizate dhe për vetë Interpolin sepse është në interesin e të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të luftohet krimi kudo që ai mund të ndodhë ose të fshehët”.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për drejtësi ka deklaruar për Albanian Post që INTERPOL-i ka qëllim që të nxitë bashkëpunim ndërkombëtar policor.

“Shtetet e ndryshme përmes shkëmbimit të informacioneve përmes data bazës së Interpolit dhe bashkëpunimit në mes të shteteve kanë për qëllim që të parandalojnë dhe luftojnë  aktivitete kriminale ndërkombëtare”, thotë Miftaraj për AP.

Por, thotë se roli kryesor i INTERPOL-it në shumicën e operacioneve është të funksionojë si një qendër informacioni.

“Përmes ruajtjes së dhënave kriminale ndërkombëtare, duke lehtësuar kontaktet midis forcave të policisë të shteteve të ndryshme”.

Gjithashtu, edhe Miftaraj po e konsideron si zgjidhje organizimin e kampanjave të lobimit.

“Përveç vullnetit politik, kërkon edhe angazhim diplomatik dhe kampanja të lobimit në rradhë të parë tek shtetet tek të cilat Kosova ka raporte diplomatike, por çka është edhe më e rëndësishme koordinim dhe bashkëpunim  të plotë me partnerët tanë strategjik”.

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL

Sipas Miftaraj, “anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm si Republikë e Kosovës, do të rriste rolin e Kosovës në luftimin e krimeve transnacionale dhe do të lehtësonte bashkëpunimin me të githa vendet e botës”.

Kosova nga viti 2001, e më tutje është pjesë e INTERPOLIT përmes Zyrës Ndërlidhëse të UNMIK-ut.

Në vitet e fundit Kosova ka aplikuar dhe synon të bëhet anëtare e UNESCO-s, INTERPOL-it, Këshillit e Evropës e organizata të tjera.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë janë 117 vende që e njohin shtetin e Kosovës.

Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Uashington, në bazë të së cilës Serbia është dashur të pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës, ndërsa Kosova është dashur të respektojë një moratorium njëvjeçar, për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Fushata e Serbisë për ç’ njohje të Pavarësisë së Kosovës

Si sukses i Serbisë është theksuar fakti që Kosova nuk është anëtarësuar në UNESCO dhe INTERPOL.

Madje, Kosova është kritikuar nga pala serbe për lobimin e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Por, Kosova kësaj radhe nuk po aplikon për anëtarësim në INTERPOL për shkak se nuk është vetë e gatshme për ta bërë këtë aplikim, e jo në mirëbesim me palën serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore