Lajme

23 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe vendosja e ushtarëve të NATO-s


23 vjet nga çlirimi i Kosovës.

12 qershori në Kosovë shënohet si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.

Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, që zgjati 78 ditë.

Bombardimet u ndërpren më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rezoluta ishte kompromis i pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

Në bazë të rezolutës në Kosovë u vendos administrata e përkohshme e OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë tranzitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Kjo ngjarje do të shënohet me aktivitete të shumta në Prishtinë dhe në komuna të tjera, si homazhe nga krerët shtetërorë të varri i ish presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi, Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, nderim te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.

Gjithashtu, do të mbahet një performancë e Orkestrës Frymore të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Togut Ceremonial të FSK-së – nga Sheshi “Skënderbeu” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”.

Dhe manifestim qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Kosovës.

23 vjet nga çlirimi i Kosovës

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Kjo është e vlerësuar si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori.

Ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

23 vjet nga çlirimi i Kosovës.

Në anën tjetër, Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Washingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.

Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’

Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Nga lufta e viteve 1998-99 janë vrarë më shumë se 13 mijë persona dhe më shumë se 6 mijë të pagjetur.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Trupat e tyre thuhet se janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshehën krimet.

Sipas të dhënave, mbi një mijë e 600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

23 vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 3 mijë e 700 trupa nga 28 shtete të botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore