Lajme

19 mijë armenë janë larguar tashmë nga Nagorno-Karabakh


Deri tani janë zhvendosur nga rajoni i Nagorno-Karabakhut 19 mijë armenë, të cilët i janë drejtuar kufijve të shtetit amë, me arsyetimin e frikës së sprastrimit etnik, kur Azerbajxhani ka rimarrë kontrollin e rajonit separatist një javë më parë.

Shifrat janë publikuar nga vetë shteti armen, i cili mendon se do të presë rreth 120 mijë refugjatë nga Karabakh-u brenda kufijve, kur një marrëveshje paqeje nuk u firmos nga ata vetë në kushtet e një negocimi të dështuar.

Azerbajxhani rimori zonën e banuar nga rreth 120 mijë armenë etnikë në fillim të kësaj jave dhe thotë se dëshiron t’i integrojë ata si “qytetarë të barabartë”.

Por Armenia ka paralajmëruar se mund të përballen me spastrim etnik.

Vetë Qeveria armene bëri me dije se shumica e të 120-mijëve, do të kenë strehim të financuar nga shteti.

Forcat separatiste armene në territor ranë dakord të çarmatosen të mërkurën e shkuar, pas një ofensive të rrufeshme ushtarake të Azerbajxhanit.

Armenia thotë se do të ndihmojë këdo që largohet nga Nagorno-Karabakh – por ka thënë vazhdimisht se një eksod masiv do të ishte faji i autoriteteve të Azerbajxhanit.

Në një fjalim televiziv të dielën, kryeministri armen, Nikol Pashinyan, tha se shumë brenda enklavës do ta “shikonin dëbimin nga atdheu si e vetmja rrugëdalje” nëse Azerbajxhani nuk siguronte “kushte reale jetese” dhe “mekanizma efektivë të mbrojtjes kundër spastrimit etnik”.

Ai përsëriti se qeveria e tij ishte e përgatitur për “të mirëpritur me dashuri vëllezërit dhe motrat tona”.

Por David Babayan, një këshilltar i udhëheqësit etnik armen të Nagorno-Karabakut, Samvel Shahramanyan, i tha Reuters se ai priste që pothuajse të gjithë të largoheshin.

Njerëzit e tij “nuk duan të jetojnë si pjesë e Azerbajxhanit – 99.9% preferojnë të largohen nga tokat tona historike”, tha ai.

“Fati i njerëzve tanë të varfër do të hyjë në histori si një turp dhe një turp për popullin armen dhe për të gjithë botën e qytetëruar”, shtoi më tej.

“Ata që janë përgjegjës për fatin tonë një ditë do të duhet të përgjigjen para Zotit për mëkatet e tyre”, përmbylli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore