Lajme

18 dhjetori, data e mundshme për zgjedhjet në Veri


Foto: Albanian Post.

Katër komunat e banuara me shumicë serbe në Veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë pa kryetarë qysh më 5 nëntor.

Albanian Post mëson se zgjedhjet për kryetarët e këtyre katër komunave mund të mbahen më 18 dhjetor.

Por, për të vendosur përfundimisht rreth datës për zgjedhje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’i presë të hënën e 14 nëntorit në takim përfaqësuesit e subjekteve politike, për t’u konsultuar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave.

Largimi i kryetarëve nga kjo pozitë vjen si vazhdimësi e veprimeve të Listës Serbe e cila po kundërshton vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Presidenca e Kosovës.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mandati i çdo kryetari të komunës merr fund me dorëheqjen e tij.

Prandaj, ky veprim u hap rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna.

Sipas Ligjit, zgjedhjet shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

Më 9 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kishte pranuar dorëheqjet e katër zyrtarëve komunale të zgjedhjeve në komunat veriore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, kishte konfirmuar lajmin për Albanian Post, duke thënë se janë duke e trajtuar këtë çështje.

Si rrodhën gjërat?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.

Veriu i Kosovës.
Kryeministri kishte pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kishin shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhej në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, largimi i Listës Serbë nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

 

Dorëheqjet e katër kryetarëve në Veri, çfarë ndodh tani?

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore