Lajme

Dorëheqjet e katër kryetarëve në Veri, çfarë ndodh tani?


Foto: Albanian Post.

Të dielën e gjashtë nëntorit, katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan kanë dhënë dorëheqje.

Sipas Kushtetutës, Kosova pas dorëheqjes së tyre duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

Një gjë të tillë për Albanian Post e thotë edhe Eugen Cakolli, nga Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI).

“Presidentja e vendit, ka obligim kushtetuese që t’u mundësoj qytetarëve shprehjen e vullnetit të tyre dhe në këtë kuptim nuk ka asnjë hapësirë le të themi për ndonjë manovrim. Është e qartë që katër komunat e vendit do të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

“Mirëpo, në aspektin praktik është pak e paqartë pjesa se si do të organizohen dhe administrohen këto zgjedhje”, ka thënë ai për AP.

Cakolli sqaron edhe periudhën kohore se kur mund të organizohen këto zgjedhje.

“Si pasojë kanë shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve në ato komuna. Kjo nënkupton që presidentja e vendit posa të pranoj një lloj shkrese të thërras në konsultime dhe të shpallë datën e zgjedhjeve për kryetar të katër komunave veriore. Zgjedhjet të cilat mbahen në një periudhë kohore prej jo më herët se 30 ditë e jo më vonë se 45 ditë nga dita e shpalljes”.

Zgjedhjet e mbajtura në Veri të Mitrovicës.

KQZ-ja nuk ka buxhet për zgjedhje

Por, është edhe një problem tjetër zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka buxhet për organizimin e zgjedhjeve në këto katër komuna.

Prandaj, një shumë të hollash për mbajtjen e tyre duhet të ndahet nga Qeveria.

“Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Elezi, shtoi se përgatitjet e këtij institucioni për zgjedhje, bëhen pasi ato të shpallen nga presidentja.

“KQZ-ja do të pres zbres shpalljen e zgjedhjeve që të fillojë përgatitjet intensive për organizmin e tyre si në çdo proces tjetër zgjedhor”.

“KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional ku listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen nga ana e KQZ për të organizuar një proces zgjedhor”.

Presidenca akoma nuk ka pranuar dorëheqjen e katër kryetarëve

Albanian Post, ka kontaktuar edhe Zyrën e Presidencës, të cilët kanë thënë se akoma nuk kanë pranuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dorëheqjen e katër kryetarëve.

“Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes”, bëri të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

Nga Presidenca, sqarohet se për hapat më tej do të vazhdohet sipas legjislacionit.

“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave”.

Presidenca e Kosovës.

Kurti për dorëheqjen e katër kryetarëve në Veri: Kanë mundur ta vazhdojnë mandatin

Për dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në konferencë për media u shpreh se ndjen keqardhje për zgjedhjet të cilat do të mbahen në këto komuna.

Pasi, sipas tij, kryetarët kanë pasur mundësinë të vazhdojnë mandatin e tyre.

“Më vjen keq që tash do të na duhet të mbahen zgjedhje në komunat ku po dorëhiqen kryetarët e komunitetit serbë, ata kanë mundur ta vazhdojnë mandatin e tyre, por këto dorëheqje siç i kanë dhënë qartazi që po shpien drejt zgjedhjeve në ato komuna. Por, duhet të ndiqen afatet ligjore dhe kushtetuese”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Ai tutje ka përmendur se edhe në të kaluarën janë ballafaquar me probleme të natyrës së njëjtë.

“Ju e dini që edhe në të kaluarën ka pasur raste kur kryetarë të komunave kanë dhënë dorëheqje, e më pas ato komuna kanë shkuar në zgjedhje. Nuk ka pasur nevojë që të kemi zgjedhje, por çfarë të bëjmë nuk ishte në dorën tonë”.

“Ajo dorëheqja është dorëheqje e atij që jep dorëheqje”, deklaroi kryeministri.

Lista Serbe vazhdimisht ka kërcënuar me “dalje nga institucionet e Kosovës”

Kjo nuk është hera e parë që Lista Serbe pezullon punën e serbëve në institucionet e Kosovës.

Një gjë të tillë e kishte paralajmëruar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat u mbajtën më 17 tetor të vitit 2021.

Në konferencën për media, ai kishte thënë se serbët e veriut të Kosovës do të largohen nga institucionet e të gjitha niveleve, nëse brenda një muaji nuk fillojnë bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pra, në veri nuk do të ketë njerëz në institucionet e Prishtinës”, kishte thënë ai.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç

Asociacioni do të duhej të bashkonte dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo marrëveshje është arritur në vitin 2013 dhe parimet për të janë miratuar në vitin 2015, por asnjëherë nuk është zbatuar në terren, sepse Kosova beson se do të rrezikojë funksionalitetin e vendit.

Ndryshe, paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore