Lajme

11 shkurti, “Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë”


Më 11 shkurt shënohet, “ Dita ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë”.

Kjo datë shënohet në kalendarin e Kombeve të Bashkuara që nga viti 2016, qëllimi i të cilës është ndërgjegjësimi i komunitetit të vajzave e grave për mundësitë dhe aftësitë që ato kanë për t’u zhvilluar në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.

Gratë kanë bërë kërkime thelbësore në shëndetin publik, vaksinat, trajtimet dhe teknologjinë inovative dhe kanë qenë në vijën e parë të rrezikut nga COVID-19 si punonjëse të kujdesit shëndetësor.

Megjithatë, hendeku gjinor në shkencë dhe teknologji i mban gratë prapa.

Sipas Raportit  të Shkencës të UNESCO-s, vetëm 33 për qind e studiuesve janë gra, pavarësisht nga fakti se ato përfaqësojnë 45 deri 55 për qind të studentëve përkatësisht në nivelet e studimeve Bachelor dhe Master, thuhet në faqen zyrtare të Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa 70 për qind e punëtorëve shëndetësorë dhe të kujdesit shoqëror janë gra, të cilat paguhen 11 për qind më pak se kolegët e tyre meshkuj.

Pandemia COVID-19 është gati të zgjerojë pabarazitë ekzistuese gjinore, veçanërisht për gratë shkencëtare në fazat e hershme të karrierës së tyre.

Është shumë e rëndësishme të njohësh kontributet e grave, të shkatërrosh stereotipat dhe të mposhtësh diskriminimin ndaj grave dhe vajzave në shkencë.

Për të pasur qasje të plotë dhe të barabartë për pjesëmarrje në shkencë për gratë dhe vajzat, dhe për të arritur më tej barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën A / RES / 70/212 duke deklaruar 11 Shkurtin si Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë.

Kyzzhibek Batyrkanova, është një kampione për, “Gratë në Shkencë” dhe udhëheqësja e Programit të parë Hapësinor të Kirgistanit.

Ajo drejton një Program Hapësinor të Kirgistanit, një iniciativë shkencore dhe socio-arsimore e cila kontribuon në zhvillimin e shkencës, arsimit dhe barazisë gjinore në Kirgistan.

Së bashku me një ekip vajzash të talentuara punon në montimin e nanoselitit të parë të vendit dhe gjithashtu kryen kurse mbi bashkimin, modelimin 3D, shtypjen 3D dhe programimin për të promovuar edukimin STEM (Shkenca, Teknologjia, Inxhinieria dhe Matematika).

“Ne duam të tregojmë me shembullin tonë se vajzat janë të afta për gjithçka, madje edhe për yjet”, ka thënë Batyrkanova.

Një tjetër femër e suksesshme në shkencë është, Gitanjali Rao me prejardhje Indiane-Amerikane. Si 15 vjeçare ajo ka arritur të jetë një shkencëtare, shpikëse, autore dhe avokate.

Ajo fitoi, “Discovery Education Young Scientist Challenge”, në 2017 për inovacionet e saj. Rao u emërua si Inovatore e re nw, “TIME Top”, në vitin 2020 për “punëtoritë e inovacionit” që zhvillon në të gjithë globin. Më 4 Dhjetor 2020 u paraqit në kopertinën e revistës “TIME” dhe u emërua “Fëmija i Vitit”.

“Unë kam qenë pjesë e kodimit dhe kampeve STEM, ku ndonjëherë isha vajza e vetme. Besoj se të gjithë, pa marrë parasysh moshën e tyre, duhet të ndjekin atë që kanë pasion dhe të përdorin talentin e tyre për të bërë një ndryshim”, thotë ajo.

 

Somaya Faruqi, 17 vjeçe, është një vajzë e cila drejtoi Ekipin Robotik të Vajzave të Afganistanit. Ajo zhvilloi një ventilator prototip për të mbështetur sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit të saj.

“Ne nuk mund të shkonim në shkollë ose të vazhdonim garën tonë të Robotikës, dhe e shfrytëzuam këtë si një mundësi për të ndihmuar komunitetin tonë me aftësitë tona”, tha ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore