Lajme

Zëvendësministrja e MPJ-së: Kosova s’do konflikte, por standardet e dyfishta s’mund të vazhdojnë


Zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, gjatë qëndrimit të saj në Samitin e shtatë të Selanikut në Greqi, ka thënë se nuk mund të flitet për të ardhmen e rajonit ndërkohë që stabiliteti është ende i lëkundshëm dhe i penguar nga mungesa e sigurisë dhe nga përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës.

“Ne nuk duam konflikte në rajon. Ne duam paqe dhe siguri. Ne kemi treguar pjekuri dhe profesionalizëm maksimal në reagimin ndaj sulmit terrorist të Banjës. Por pavarësisht përkushtimit të Kosovës për stabilitet dhe paqe, dhe rrugën drejtë Bashkimit Evropian, ne nuk mund të vazhdojmë përpara nëse kemi standarde të dyfishta që përdoren ndaj Serbisë dhe Kosovës”, theksoi Gashi, ka njoftuar zyra për media e MPJ-së.

Sipas njoftimit, përgjatë panelit u diskutua edhe për rëndësinë për harmonizim të politikës së jashtme dhe të sigurisë evropiane dhe nevojën për reformat rrënjësore për adresimin e sundimit të ligjit.

Gashi theksoi se Kosova mbetet një partner aktiv dhe i përkushtuar drejt stabilitetit dhe demokratizimit në rajon dhe në rrugën e saj evropiane.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet fuqishëm “Planin e Rritjes” për Ballkanin Perëndimor, të cilin e sheh si hap në drejtimin e duhur”.

Ajo ka potencuar se integrimi i përshpejtuar ekonomik dhe konvergjenca në të ardhura me BE-në dhe brenda Ballkanit Perëndimor, përkon me përkushtimin dhe progresin e arritur në kriteret ekonomike gjatë viteve të fundit.

“Së shpejti, Kosova do të prezantojë dhe planet, projektet kyçe e synimet e saj nga përfitimi i këtyre fondeve të BE-së”, u shpreh ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore