Lajme

Zelensky e konsideron”barbarizëm” sulmin rus në portin e Odesës


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për “barbarizëm” pasi raketat ruse goditën portin jugor të Odesës, duke kërcënuar marrëveshjen e nënshkruar vetëm një ditë më parë për të zhbllokuar eksportet e grurit nga portet e Detit të Zi dhe për të lehtësuar mungesën globale të ushqimit të shkaktuar nga lufta.

As 12 orë pasi Moska nënshkroi një marrëveshje me Kievin për të lejuar eksportet e monitoruara të grurit nga portet jugore të Ukrainës, Rusia sulmoi Odesën, përmes së cilës do të bëheshin dërgesat.

Zelensky e quajti sulmin “barbarizëm” flagrant, duke treguar se Moskës nuk mund t’i besohej zbatimi i marrëveshjes.

“Kjo dëshmon vetëm një gjë: pavarësisht se çfarë thotë dhe premton Rusia, ajo do të gjejë mënyra për të mos e zbatuar atë”, tha presidenti ukrainas gjatë një takimi me ligjvënësit amerikanë, sipas një deklarate nga presidenca.

Pamjet e dëshmitarëve okularë të postuara në mediat sociale, të marra në zonën e portit, treguan një nga raketat duke shpërthyer afër bregut të detit pas rreshtave të kontejnerëve dhe jo shumë larg një anijeje të ankoruar.

Sulmet në Odesa tërhoqën dënime të forta nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania dhe Italia.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha në një deklaratë se “ky sulm hedh dyshime serioze mbi besueshmërinë e angazhimit të Rusisë ndaj marrëveshjes së djeshme”.

“Rusia mban përgjegjësi për thellimin e krizës globale të ushqimit dhe duhet të ndalojë agresionin e saj”, shtoi ai.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se sulmi “i tmerrshëm” disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes ishte “plotësisht i pajustifikuar” dhe provë se presidentit rus Vladimir Putin, nuk mund t’i besohej.

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë tha se zyrtarët rusë i thanë Ankarasë se Moska nuk kishin “të bënin” me sulmet. As deklaratat e ministrisë ruse të mbrojtjes dhe as përmbledhja e mbrëmjes e ushtrisë nuk përmendën sulmet me raketa në Odesa.

Të premten, zyrtarët e OKB-së thanë se shpresonin se marrëveshja do të ishte funksionale brenda disa javësh. Transmetuesi publik Suspilne citoi komandën ushtarake jugore të Ukrainës të thoshte se zona e depozitimit të grurit të portit nuk ishte goditur.

“Fatkeqësisht ka të plagosur. Infrastruktura e portit u dëmtua”, pol tha guvernatori i rajonit të Odesa, Maksym Marchenko.

Por ministri i infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, tha në Facebook se “ne vazhdojmë përgatitjet teknike për nisjen e eksporteve të produkteve bujqësore nga portet tona”.

Rusia dhe Ukraina janë furnizues të rëndësishëm global të grurit dhe lufta ka rritur çmimet e ushqimeve. Një krizë globale ushqimore ka shtyrë 47 milionë njerëz në “uri akute”, sipas Programit Botëror të Ushqimit.

Marrëveshja e së premtes synon të shmangë urinë në vendet më të varfra duke vendosur më shumë grurë, vaj luledielli, plehra kimikë dhe produkte të tjera në tregjet botërore, duke përfshirë edhe nevojat humanitare, pjesërisht me çmime më të ulëta.

Sulmi ishte pjesë e një seri sulmesh ruse në të gjithë Ukrainën, me qytetin Kropyvnytskyi të goditur nga 13 raketa të shtunën në mëngjes. Guvernatori lokal, Andriy Raikovych, tha se të paktën një ushtarak dhe dy roje u vranë, ndërsa 13 persona të tjerë u plagosën në Kropyvnytskyi.

Banorët vendas në qytet thanë se sulmet kishin në shënjestër një bazë ajrore në periferi, si dhe një nënstacion hekurudhor.

Sulmet u raportuan gjithashtu në Kharkiv, ku u godit një zonë banimi, duke vrarë të paktën tre persona, dhe në qytetin jugor të Mykolaiv.

Një delegacion i kongresit amerikan që takoi Zelenskyn në Kiev premtoi mbështetje të vazhdueshme. Adam Smith, kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, u citua të ketë thënë për Radion Evropa e Lirë se Uashingtoni dhe aleatët e tij synonin të siguronin më shumë sisteme të shumta të lëshimit të raketave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore