Shqipëria

Xhaçka mohon- sërish- lajmin për kamp refugjatësh në Shqipëri


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, paraditen e 18 nëntorit, ka mohuar se qeveria britanike po zhvillon bisedime sekrete me atë shqiptare, për krijimin e një kampi refugjatësh në vendin tonë.

Duke i cilësuar si “të rreme” informacionet që media britanike “The Times” ka publikuar, Xhaçka tha se është e “trishtë” që një gazete e “respektuar” publikon të tillë lajm.

“Unë nuk jam ‘ai’ por ‘ajo’ që gjithmonë e ka admiruar cilësinë e mediave britanike”, shkruan Xhaçka përmes një postimi në median sociale Twitter.

Britanikja “The Times”, në një artikull të saj ka shkruar se ministrat shqiptarë dhe ato të Mbretërisë së Bashkuar janë në bisedime sekrete për ngritjen e një qendre azili në Shqipëri.

“Ministrat shpresojnë të nënshkruajnë një marrëveshje për dërgimin e emigrantëve, që kalojnë Kanalin drejt Shqipërisë, si një masë kryesore për t’i dhënë fund krizës”, shkruan “The Times”.

Sipas saj, çdo emigrant që vjen ilegalisht në Britani nëpërmjet varkave të vogla, do të dërgohet në Shqipëri brenda 7 ditëve dhe kjo do të kushtojë 100 mijë paund çdo azilkërkues.

Tanimë, nga Shqipëria atyre do t’u vlerësohen kërkesat për azil në Britani. I gjithë procesi do të veprojë si një pengesë kundër kalimit.

“Pas një sërë zhgënjimesh gjatë bisedimeve me vendet e tjera për të pritur emigrantët, shpresat e kabinetit për një marrëveshje me Shqipërinë po rriten”.

Britania është përfshirë në një krizë, pavarësisht ardhjes së dimrit. Kjo sepse vetëm të enjten e kaluar, 1 mijë e 185 persona mbërritën atje me varka të vogla.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore