Shqipëria

Wang Yi: Kina mirënjohëse ndaj Shqipërisë, çojmë përpara miqësinë tonë


Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, takon homologen shqiptare, Olta Xhaçka

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka përmbyllur vizitën e tij njëditore në Shqipëri, ku në thelb të bisedimeve ka qenë miqësia shqiptaro-kineze dhe çuarja përpara e saj.

“Kina është një vend mirënjohës dhe ne kurrë nuk e harrojmë veprimin e drejtë të palës shqiptare në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara 50 vjet më parë, për njohjen e një Kine”, theksoi Yi gjatë vizitës.

Gjatë këtyre pesë dekadave, sipas Yi, Pekini e ka respektuar gjithnjë sovranitetin e Shqipërisë. Po ashtu, edhe zgjedhjet e pavarura të kombit shqiptar, drejt rrugës së zhvillimit që më së shumti i përshtatet.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, takon homologen shqiptare, Olta Xhaçka

Ai shpjegoi se pala kineze është e gatshme të thellojë mbështetjen e ndërsjelltë me Shqipërinë. Kjo, për t’i dhënë një shtysë të re raporteve solide midis vendeve si edhe përpjekjes për të eksploruar mënyra të reja për bashkëpunim, përtej miqësisë tradicionale.

Nga ana tjetër, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka uruar kryediplomatin kinez për 50-vjetorin e rivendosjes së statusit së saj të ligjshëm në Kombet e Bashkuara.

Kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, në tryezën e takimit me homologun kinez Wang Yi

“Shqipëria i përmbahet gjithnjë parimit të ‘Një Kine’”, theksoi Xhaçka gjatë takimit me Yi.

Ajo ndër të tjetër i mëshoi faktit se Pekini është një partner i rëndësishëm dhe i veçantë për Tiranën.

Këtë, pala aziatike e ka treguar edhe në dy rastet e fundit. Atë të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë, ku është dhënë ndihmë ndaj shqiptarëve.

Ndërsa, në përmbyllje, Xhaçka ka treguar përkushtimin e diplomacisë shqiptare për forcimin e relatave midis dy shteteve.

Gjatë ditës së sotme, Yi pati edhe takime të tjera. Më kryesorët, ishin ato me kryeministrin, Edi Rama dhe presidentin, Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore