Lajme

Vuçiç kërkon takim me Stoltenberg-un: Perëndimi po mbron fëmijën e vetë – u përgatit një “truk”


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se i ka bërë një kërkesë zyrtare Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të zhvilluar një takim dhe se pret që të ndodh ditëve në vijim, duke shtuar se Perëndimi është duke mbrojtur “fëmijën e tyre” (Kosovën).

Vuçiç pretendoi se në periudhën e ardhshme do të pasojë një “mashtrim i Perëndimit në lidhje me Kosovën”.

“Do të shihni një truk të paraqitur nga disa nga perëndimi, që është: kthehuni dhe flisni normalisht, ne kemi arrestuar 40 serbë, i kërcënojmë pak se do të vazhdojmë t’i arrestojmë, por depërshkallëzimi është kur tërhiqen 25 për qind e diçkaje. Askush nuk e di se çfarë do të thotë, por ata po kërkojnë arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë, sepse duhet të mbrojnë fëmijët e tyre”, pretendoi ai.

Kjo deklaratë e tij vjen pasi që Qeveria e Kosovës, të martën njoftoi se është pajtuar me hapat e parë për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje, ku njëra nga pikat parasheh edhe zvogëlimin për 25 për qind të policisë nga objektet komunale në komunat Veriore.

Ndërkaq, ai është shprehur tejet i pakënaqur me sanksionimin e Shefit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, Aleksandër Vulin, nga Departamenti amerikan i Thesarit, pasi që pyet se si mundet të merret një vendim i tillë për drejtorin e BIA-së “e jo për Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla”.

“E di shumë mirë se për çfarë kemi biseduar gjatë gjithë këtyre muajve, e di çfarë më thatë dhe çfarë të thashë. Nuk do të ketë as sanksione për ta, sepse ne e dimë se si duhet bërë një bilanc”, pohoi Vuçiç, duke shtuar se “as amerikanët dhe as rusët nuk do ta udhëheqin politikën time, politika që unë drejtoj duhet të jetë e mirë për Serbinë dhe popullin serb”.

Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një prononcim të shkurtër për media para fillimit të samitit dyditor të Aleancës Veri-Atlantike, në Vilnius të Lituanisë, ka ripërsëritur shqetësimin për situatën në Veri të Kosovës, e cila mbetet e tensionuar që nga 26 maji i këtij viti, kur Qeveria e Kosovës morri vendim për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në komunat veriore, nën asistencën e Policisë së Kosovës, pa koordinim me komunitetin ndërkombëtar.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta de-eskalojnë situatën dhe të shmangin çdo lloj hapi që mund të kontribuojë në rritjen e tensioneve në këtë pjesë të vendit”, tha ai fillimisht.

Për shkak të jo-stabiliteti, dhunës dhe rritjes së tensioneve, Stoltenberg ndër të tjera shtoi se NATO, përmes misionit të saj në Kosovë, KFOR-it ka rritur pranin e saj në Kosovë duke dislokuar trupa shtesë.

“NATO është prezent në Kosovë, ne i kemi trupat e KFOR-it aty të cilët po mirëmbajnë sigurinë dhe stabilitetin për kosovarët dhe etnitë e tjera që jetojnë aty”, shtoi ai.

I pyetur se a do të pranojë të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili kërkoi më 6 korrik takim me Stoltenbergun pas samitit të NATO-s në Vilnius, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë, Sekretari i NATO-s tha se është i gatshëm ta takojë.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe sigurisht që jam gati për ta takuar”.

Stoltenberg: NATO-ja e shqetësuar për situatën në Veri, bëjmë thirrje për de-eskalim

Vuçiç mbron Vulin-in: Sanksionet e ShBA-së ndaj tij për shkak të Rusisë, jo krimit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vulin, ka mbrojtur Shefin e Agjencisë së Inteligjencës të Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili të martën u sanksionua nga Departamenti amerikan i Thesarit, duke vënë kështu në dyshim arsyet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë në njoftimin e tyre për Vulin-in.

Sipas presidentit serb, sanksionet e ShBA-së ndaj drejtorit të BIA-së “nuk janë për shkak të krimit, por për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”.

“Nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulin, por në Shtëpinë e Bardhë”, theksoi ai, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët se nëse Vulin do të vazhdojë të mbetet në krye të BIA-së, dhe nëse autoritetet shtetërore të Serbisë duhet të hetojnë ato çka u publikuan nga Thesari amerikan, Vuçiç pohoi se është e rëndësishme që të kryhet një hetim.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme të kryhet një hetim, sepse mendoj se është një artikull i përgjithshëm që ata përdorin për të shkruar diçka. Keni harruar të përmendni gjënë më të rëndësishme, që është Rusia. Sanksionet kundër Vulin nuk u vendosën kundër krimit, por për shkak të marrëdhënies së tij me Federatën Ruse. Por për pozicionin e tij do të flas në detaje nesër”.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Thesarit, të martën, ka sanksionuar Drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin-in.

Futja në listë të zezë të shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulin, siç njofton Thesari Amerikan, nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur atë përgjegjës për përfshirje në marrëveshje korruptive që çojnë përpara agjendat politike dhe interesat personale të tij në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Duke arsyetuar vendimin e shpalljes “non-grata” të ministrit serb, Thesari Amerikan në njoftimin për media, mban përgjegjës Vulin-in edhe për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese të cilat kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.

Aleksandar Vulin, sipas Thesarit Amerikan, ka qenë i implikuar në krimin e organizuar ndërkombëtar, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike.

“Vulin ka mbajtur një marrëdhënie reciproke të dobishme me tregtarin serb të armëve, Slobodan Tesiç, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Tesiç mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë”.

“Veprimet e Vulin kanë avancuar korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto akte përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai ka përdorur pozicionet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon”.

“Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja po e mban përgjegjës ose bashkëpunëtor Vulin-in, ose i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në, korrupsionin në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur ndryshe me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-qeveritar në çdo nivel të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është shpërdorimi i aseteve publike, shpronësimi i aseteve private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet”.

Amerika sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulin-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore