Shqipëria

Vrasja e biznesmenit Sofia – SPAK dërgon dosjen në GJKKO


Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka përfunduar hetimet paraprake për të akuzuarit e vrasjes së biznesmenit, Behar Sofia, e kryer më 25 shkurt të vitit të kaluar.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, dosja është dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) me kërkesën për “Dërgimin për gjykim”.

Pesë të pandehurit e arrestuar për vrasjen e Sofisë janë Leonard Xhixha, Bujar Leza, Skënder Vathi, Xhuljano Visha dhe Ernejt Shyti.

Të pestë të pandehurit janë dërguar për gjykim me masë sigurimi arrest në burg.

Ata akuzohen për veprat penale, si “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” në rolin e pjesëmarrësit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

SPAK sqaron se hetimet vazhdojnë në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.

Kush ishte Behar Sofia?

Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit, pranë Piramidës Tiranë.

Sofia ishte me origjinë nga Berati, pronar i disa bizneseve në Tiranë, të cilat së fundi po kalonin nën hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Pasi bizneseve të tij në Tiranë iu ishte vënë disa herë lëndë eksplozive.

Ai është arrestuar në vitin 1998 në bashkëpunim me shtetasin turk Abdulselam Turgut, nën akuzën për trafik troge nga Turqia në Shqipëri.

Sofia konsiderohej si një nga krerët e grupit të organizatës kriminale në Shqipëri, për trafikim të lëndëve narkotike.

Behar Sofia ose Seferi kishte jetuar për një kohë të gjatë në Turqi.

Në atentatin e bërë më 25 shkurt, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Grupi Turgut

Turgut u prangos më 18 shkurt të vitit 2011. Një arrestim ky i finalizuar për llogari të shtetit gjerman.

Ai akuzohej nga autoritetet gjermane për trafikimin e një ton droge.

Turgut, i cili veç akuzave për trafik ndërkombëtar droge, ka lidhje edhe me krimin e organizuar në Shqipëri.

Gjithashtu emri i turkut lakohet edhe për përfshirje në organizatë terroriste.

Ai akuzohet për planin e muajit mars në vitin 2018, për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK).

Plan, i cili u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit.

Emri i tij është i lakuar dhe në ngjarjen e gushtit të vitit 2009, ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin.

Abdulselam Turgut është i shpallur në kërkim nga shtete, si: Rumania, Austria, Holanda dhe Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore