Lajme

Vrasja e 18 vjeçares në Ferizaj nxitë reagimin e grave në Kosovë


Fraza e tretë, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) për rastin e 18 vjeçares nga komuna e Ferizajt.

Vrasja e 18 vjeçares nga komuna e Ferizajt, ka ngjallur reagime te zyrtaret e larta të institucioneve e të organizatave të ndryshme në Kosovë. Ish ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka thënë se rastet e tilla janë thirrje këmbuese për shoqërinë.

Ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se “dhuna ndaj grave në Kosovë shpesh kalon me indiferencë, e qe besa ndonjëherë edhe me tallje”.

Sipas Çitakut, nëse shoqëria vazhdon ta trajtojë dhunën ndaj gruas “si normë”, siç thotë ajo, “ndëshkimi me ligj nuk mjafton”, duke shtuar se s’ka as fjalë për ngjarjen e ndodhur.

“Sot, s’po kam as fjalë”, shtoi ajo.

Edhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke ndjerë dhimbje e mllef për jetën e 18 vjeçares nga Ferizaj, dy personat të cilët dyshohet se e kanë keqtrajtuar këtë të fundit, i ka quajtur “çdo gjë tjetër, vetëm njerëz jo”.

Ajo përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “në shoqërinë tonë, përveç përgjegjësve direkt për dhunën  e ushtruar deri në vdekje ndaj vajzës së ndjerë, përgjegjësit e heshtur janë të gjithë ata që ushqejnë trajtimin e vajzave dhe grave si objekt, ata të cilët e kultivojnë dhe promovojnë pozitën nënshtruese të vajzave në familje e shoqëri”.

Andaj, Kusari-Lila ka kërkuar reflektim për ngjarjen dhe shpëtimin e shumë viktimave të tjera të rasteve të tilla.

“Duhet të reflektojmë dhe shikojmë rreth vetes, kënd mund ta shpëtojmë të mos përfundojë e vrarë. Të shpëtojmë vajzat, jo vetëm jetën e tyre, por edhe shpresën se mund të jetojnë të lira e të barabarta dhe të bëhen kushdo që ëndërrojnë të jenë”, ka shkruar ajo duke shtuar se një jetë e humbur dje, nuk mund të kthehet.

“Sot mund të lutemi për shpirtin e saj dhe të ngushëllojmë familjen e saj. Por, neve tjerëve shumë punë na mbetet të bëjmë të mos përsëriten vrasjet e vajzave”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër edhe kandidatja për kryetare të Komunës së Ferizajt nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka thënë se ky rast tregon për realitetin në të cilin gjenden vajzat kosovare.

“Rasti i vrasjes së vajzës 18 vjeçare, edhe njëherë na përplasi fytyrës realitetin e hidhur në të cilën gjenden vajzat tona. Gjuha mizogjeniste, dhuna ndaj grave dhe vajzave janë shndërruar në ‘normalitet’ në shoqërinë tonë. Mjafton të analizohen rrjetet sociale, ku aq lehtësisht, fyerja deri në eliminim është bërë përditshmëri”, ka shkruar ajo në Facebook.

Këto raste, por edhe të tjerat, sipas Halimit, duhet të jenë prioritet i tërë shoqërisë kosovare.

“Nuk mjafton të tronditemi vetëm nga vrasjet fizike, ne duhet të tronditemi çdo ditë për gjuhën e vrasjes drejtuar vajzave dhe grave e që vrasja fizike, vjen si pasojë e mos ndëshkimit të këtij mentaliteti”, ka potencuar Halimi.

“Ngacmimet seksuale, dhunimet, shantazhi e dhuna ndaj grave janë çështje të cilat duhet të jenë prioritet i secilit prej nesh pa përjashtim”, shtoi ajo.

Ndërkaq, Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar dënim maksimal për përgjegjësit për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, që sipas tyre ky rast shpërfaqë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave dhe të femicidit.

“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave”, thuhet në shkrimin e RRGK-së.

Kjo organizatë ka theksuar se për secilën vrasje të grave nga burrat ekziston një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve.

“Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurrfarë llogaridhënie? Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin”, thuhet më tej në shkrim.

Edhe Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka reaguar për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, e cila dje u dërgua dhe u la e vdekur në emergjencën e këtij qyteti.

Kjo organizatë ka kërkuar kundërshtim të ashpër kolektiv ndaj vrasjes së grave, duke thënë se kjo është thelbësore.

“Në shumë vende, dhuna e ushtruar ndaj grave, përfshirë vrasjet, nuk është konceptuar as si krim. Këto krime janë “mënyra se si bota funksionon” ose “akte të pasionit”. Këto fraza zbulojnë qëndrime të thella që kanë natyralizuar dhunën ndaj grave, domethënë e kanë bërë të duket sikur kjo dhunë është një pjesë e natyrshme ose normale e jetës së zakonshme”, thuhet në reagimin e QIKA-s.

“Dhuna kërkon të sigurojë që gratë janë të vrasshme, të zëvendësueshme. Është një përpjekje për të përcaktuar vetë ekzistencën e jetës së grave si diçka të vendosur nga burrat, si një prerogativë mashkullore”, thuhet në njërën nga frazat që kjo organizatë ka publikuar në formë të fotografive.

Frazë: Kur vrasja e grave nuk është krim?
Fraza e parë, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) për rastin e 18 vjeçares nga komuna e Ferizajt.
Fraza e dytë, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) për rastin e 18 vjeçares nga komuna e Ferizajt.
Fraza e tretë, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) për rastin e 18 vjeçares nga komuna e Ferizajt.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore