Shqipëria

Voltalia, fituese e ankandit për parkun fotovoltaik të Spitallës


Është finalizuar ankandi për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Spitallës, një park me kapacitet prej 100 Megavatësh i cili do të ngrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një konferencë për mediat bëri të ditur ecurinë e këtij ankandi.

Voltalia, kompania franceze u shpall fituese. Ajo dha ofertën më konkurruese, 29.89 euro për 70 megavat, për 50 vitet e ardhshme.

Ministrja e ka cilësuar si “ditë të vecantë” për sektorin e energjisë, ku hapat e hedhur në 2020-ën ishin shumë të rëndësishme.

Në fjalën e  saj ministrja Balluku u shpreh se janë parë me detaje ofertat teknike të ardhura nga pesë kompani.

Nga ana tjetër, Balluku, e ka cilësuar mbylljen e marrëveshjes për Skavicën një pikë tjetër kyçe.

“Kemi bërë një rrugëtim të gjatë me hapjen, në muajin nëntor 2020. BERZH-i nuk na ka munguar asnjë moment, kanë qenë në krah të ekspertëve që të sjellim një rezultat sa më transparent”, tha ajo në fjalën e saj.

Sot, më 25 mars ishte afati i dorëzimit të ofertave. Ministrja bëri të ditur që do të nisin dhe ankande hibride, si ato diellore e erës, ku kompanitë do të ofrojnë gjithë paketën.

“Diversifikimi i burimeve të energjisë është gjëja më e rëndësishme që po bëjmë ne sot këtu. Duam ta kthejmë vendin tonë në një fuqi energjitike në rajon”, tha Balluku në fjalimin e saj.

Dy komapanitë në finalen e ankandit ishin ajo franceze dhe kineze. Kompania kineze, që nuk u shpall fituese ofroi 46 euro për megavat.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore