Shqipëria

Sjellja agresive, fëmijët që nuk pranojnë ‘jo’-në – Intervista e Albanian Post me sociologen Marsi Simo


Sado e vrazhdë të duket, ndodh.

Nuk janë të pakta rastet ku sjellja agresive është bërë pjesë edhe e mënyrës së komunikimit mes fëmijësh, duke i zënë vendin fjalëve.

Për të kuptuar më shumë shkaqet e kësaj sjellje, Albanian Post ka kontaktuar sociologen Marsi Simo.

Përmes një interviste, ajo ka dalluar se ka fëmijë sot që nuk pranojnë të thonë “jo” si përgjigje, pasi nuk iu qëllon të refuzohen në shumicën e rasteve.

Por Simo ka ravijëzuar se në tërësi jemi shoqëri me elemente dhunuese dhe episode të tilla pritet të reflektohen edhe në sjelljen e fëmijëve.

Po ashtu sociologia ka veçuar se fëmijët e rritur në ambient dhune me shume gjasa do të prodhojnë dhunë.

Por cila është zgjidhja?

Intervista e plotë e Marsi Simos me Albanian Post: 

Albanian Post: Shihen vazhdimisht fëmijë që në këmbënguljen e tyre për të arritur diçka, përdorin ‘dhunën’, ngrenë dorë kryesisht ndaj nënave të tyre. Raste që shihen në rrugë apo në markete, ku mungesa e plotësimit të një dëshire nga ana e prindërve, përkthehet në ‘dhunë’ kundrejt tyre. Si e komentoni këtë panoramë dhune mes të vegjlish?

Marsi Simo: Mendoj se nisur nga shumë mungesa që prindërit vetë kanë patur dikur kur kanë qenë të vegjël, priren t’ua plotësojnë sa munden fëmijëve të tyre dëshirat që ata kanë.

Si pasojë, kemi sot fëmijë që nuk pranojnë “jo” si përgjigje prej faktit se nuk iu qëllon të refuzohen në shumicën e rasteve. Madje janë edhe te prirur të përdorin edhe gjuhën e tyre të trupit, apo dhe sjellje agresive që të realizojnë qëllimet e tyre.

Po ashtu edhe ekspozimi i fëmijëve me materiale dhune nga filmat, këngët, i jep atyre modele dhune si metoda se si duhet  të reagojnë ndaj situatave të ndryshme.

E them këtë, sepse ka shumë filma për fëmijë, të cilët nuk janë të përshtatshëm për të gjitha moshat, apo dhe videoklipe këngësh.

Megjithatë, në tërësi jemi shoqëri me elemente dhunuese ku më pak e më shumë. Këtë e shohim në mënyrën sesi bërtasim në vend që të komunikojmë, kemi vështirësi në menaxhimin e emocioneve, nxehemi shpejt, nuk jemi të prirur të sheshojmë konfliktet.

E gjitha kjo përthithet nga fëmijët sepse ata zhvillohen duke kopjuar.

Albanian Post: A reflektojnë fëmijët me sjelljen që shfaqin çka mund ta kenë të pranishme brenda mureve të shtëpisë?

Marsi Simo: Familja është bota e parë që fëmijët njohin, perceptojnë, kopjojnë, shohin marrëdhënien e vetes me tjetrin.

Në një mjedis familjar ku mbizotëron komunikimi edhe fëmija do të jetë i prirur të veprojë po ashtu. Në një familje ku e bërtitura e ofendimi janë të shpeshta, do të brendësohen edhe nga fëmija.

Albanian Post: Çfarë na tregon sjellja që fëmijët shfaqin për të ardhmen e tyre?

Marsi Simo: Një nga shumë shqetësime që unë ngre në raste të tilla është fakti se fëmijët e rritur në ambient dhune me shume gjasa do të gjenerojnë dhunë. Si pasojë ky rreth vicioz nuk do të ketë një shkëputje.

Do të jenë fëmijë të rritur me pasiguri, me vetëbesim të ulët, në kërkim të validimit, apo dhe shqetësime të tjera që i përkasin shëndetit mendor.

Albanian Post: Si duhen korrigjuar momente të tilla dhe si duhet të veprojnë prindërit për të parandaluar episode të padëshiruara në të ardhmen?

Marsi Simo: Me takimet dhe këshillimet me prindër që kam, ndjej se një pjesë e tyre duan të dinë më tepër për prindërim pozitiv dhe se si mund të përmirësojnë marrëdhënien e tyre me fëmijën.

Së pari është ndërgjegjësimi. Një pyetje që mund t’ia bëjmë vetes si prind: A kam gabime në procesin e prindërimit, të cilat unë mund t’i përmirësoj? A ka modele të vjetra prindërimi, të cilat sot nuk duhet të vijojnë? A janë të shëndetshme veprimet e mia si prind për fëmijën tim?

Pas ndërgjegjësimit se mund të përmirësohemi, është momenti për informim, këshillim apo kërkim ndihme.

Me rëndësi shoh edhe përfshirjen e babait në prindërim pasi fëmija ka nevojë për të dy, por edhe bashkëpunimi është më efikas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore