Lajme

Vërshimet në Pejë, Krasniqi: Jemi në koordinim me gjitha institucionet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve


Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me komunën, me të gjitha institucionet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në Pejë pas vërshimeve të mëdha të shiut, ku si pasojë vdiqën nënë e bir.

“I shqetësuar dhe tronditur me situatën e vërshimeve në Pejë, ku si pasojë e tyre humbën jetën dy qytetarë tanë, një fëmijë dhe nëna e tij. Që nga fillimi i reshjeve mbrëmë jam në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me Kryetarin Muhaxheri, Ministrin Sveçla dhe Ministrin Mehaj, që t’i dalim në ndihmë qytetarëve dhe Komunës në këtë situatë të vështirë”, ka shkruar ai në Facebook.

“Familjarëve të cilët humbën më të dashurit e tyre, ju shprehi ngushëllime, të lënduarve shërim dhe rikuperim të shpejtë dhe shpresojë që situata të tilla mos të përsëritën më”, shtoi ai.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për institucionet qendrore të mobilizojnë të gjithë mekanizmat shtetëror që t’u dalin në ndihmë të menjëhershme qytetarëve të prekur nga vërshimet.

“Institucionet tona duhet të koordinohen me të gjitha organet lokale për t’iu përgjigjur nevojave të familjeve tona në përballje me këtë situatë”, thuhet në reagim e kreut të LDK-së.

Ai ka potencuar se solidariteti dhe bashkëpunimi janë thelbësore në momente të tilla për të ndihmuar bashkëqytetarët.

Ndryshe, një pesë vjeçar dhe nëna e tij kanë vdekur si pasojë e vërshimeve në qytetin e Pejës të shtunën. Ndërkaq sipas policisë dy persona janë lënduar dhe janë dërguar për trajtim në spital.

Sipas organeve të rendit, trupi i viktimës është gjetur në orët e para të së dielës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё 24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen “Asllan Qeshme” njё fёmijё ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet policore rreth orёs 01:20, tё datës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se është i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur në qytetin që e udhëheq si pasojë e vërshimeve.

“Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë”, ka shkruar ai në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore