Shqipëria

Shpërthimi në Velipojë, Manastirliu vizitë në spital


Ministrja e Shëndetësisë në Republikën e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ka vizituar në ambientet e QSUT-së katër pjesëtarët e familjes, që mbetën të plagosur rëndë nga shpërthimi i bombolave të gazit në Velipojë.

“Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike”, ka shkruar ajo në median sociale Facebook.

Mjekët kanë bërë me dije se djegiet janë të gradës së tretë e të katërt, ku ata rrezikojnë jetën.

Sipas tyre me shumë mundësi, familjarët do të transferohen në Itali, për një mjekim më të specializuar.

Dyshimet e para të zjarrfikëses janë rrjedhja e gazit nga bombola më e vogël që ka çuar në shpërthimin e fuqishëm.

Mësohet se në ambientet e hotelit ka pasur edhe shtatë bombola të tjera, por që është bërë e mundur ndërhyrja në kohë që mos të shpërthejnë.

Deklarata e Policisë

Nga deklarata zyrtare e policisë bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur në fshatin Pulaj-Plazhë.

Të plagosurit kanë pësuar djegie e për pasojë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Bombola ka shpërthyer në hotelin e familjes Gjoka, ku të dëmtuar janë shtetasit  A.Gj. 40 vjeçe, D.Gj. 19 vjeçe, K.Gj. 15 vjeçe, dhe E.Gj. 12 vjeç.

Në një deklaratë për mediat një i afërm i familjes ka sqaruar edhe rrethanat e ngjarjes.

Sipas tij ngjarja ka ndodhur në momentin që është ndezur një bombol e vogël për të bërë kafe.

Ai ka theksuar se nëna dhe fëmijët kishin shkuar një natë më parë në hotel për ta pastruar dhe bërë gati për sezonin turistik, ndërsa kryefamiljari ndodhet në Itali.

Pamje pas shpërthimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore