Lajme

Ukraina mund të shqyrtojë legalizimin e martesës së homoseksualëve


“Në këtë kohë, çdo ditë mund të jetë e fundit”.

Këtë slogan mban peticioni ukrainas që bën thirrje për legalizimin e martesës së të njëjtit seks në vend.

Peticioni ka marrë nënshkrime të mjaftueshme për t’u shqyrtuar nga presidenti.

Ai ka mbledhur më shumë se 28 mijë nënshkrime. Kështu që, presidenti Volodymyr Zelensky ka 10 ditë në dispozicion për t’u përgjigjur.

Atje, homoseksualiteti nuk është i paligjshëm. Veçse martesat e çifteve të të njëjtit seks nuk njihen.

Çka ka shkaktuar probleme për personat LGBT që regjistrohen në ushtri pas pushtimit të Rusisë.

Referuar ligjit ukrainas, nëse dikush në një marrëdhënie të të njëjtit seks ndërron jetë, partneri nuk mund ta marrë trupin ose ta varrosë atë.

Një nga organizatat e ka përshkruar peticionin si një “moment të rëndësishëm” për anëtarët e komunitetit.

“Është e rëndësishme që personat LGBTQ të kenë të drejtën të shohin partnerin e tyre dhe të marrin trupin e tyre nga morgu dhe të kërkojnë kompensim nëse është e nevojshme”, ka thënë Oksana Solonska, specialistja e komunikimit në Kyiv Pride.

Ajo ka shtuar se të gjitha çiftet e martuara i kanë këto të drejta.

“Ne vërtet shpresojmë që martesat e të njëjtit seks do të legalizohen, kështu që njerëzit do të jenë në gjendje të kujdesen për njëri-tjetrin”, ka pohuar specialistja.

Në Ukrainë, çdo peticion që mbledh më shumë se 25 mijë nënshkrime shkakton automatikisht shqyrtimin e presidentit.

Megjithatë, kjo nuk garanton ndonjë ndryshim në ligjin aktual dhe nuk është e qartë nëse Zelensky do të marrë masa.

Edhe pse janë bërë disa përpjekje për të mbrojtur personat LGBT në Ukrainë – siç është ligji kundër diskriminimit që u prezantua në vitin 2015 – komuniteti LGBT ka vuajtur nga homofobia, intoleranca dhe dhuna.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore