Shqipëria

U përjashtuan nga shërbimi për festivalin e UNUM – Protestojnë taksistët në Lezhë


Taksistët e qytetit të Lezhës të martën e 31 majit, kanë dalë në protestë, pasi janë përjashtuar nga shërbimi për “Festivalin ndërkombëtar të muzikës elektronike UNUM”.

Kjo, pasi ata kanë mësuar që një kompani taksish në kryeqytet do të operojë në Lezhë për këtë koncert.

“Pse duhet të vijnë Bashkia e Tiranës? Ne nuk na lejohet të operojmë në asnjë qytet tjetër, as në Qarkun e Lezhës. Për shembull, në Rrëshen, taksitë e Lezhës nuk lejohen të ngarkojnë nga Rrësheni për në Lezhë dhe jo të vijnë të Tiranës, apo të qarqeve të tjera e të operojnë këtu”.

Taksistët lezhjanë janë mbledhur para Bashkisë për të kundërshtuar këtë vendim, pasi, sipas tyre, është i ndaluar.

“Ne na kanë përjashtuar nga juridiksioni i bashkisë si taksi të licencuara dhe kanë sjellë kompani të tjera të operojnë nën juridiksionin e bashkisë. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur këtu, para bashkisë, bëmë kërkesë për takim, por nuk na pranojnë, tani na nxjerrin termin tjetër që tagrin nuk e ka bashkia, por ministria”.

Në refuzimin e takimit nga kryetari i Bashkisë së Lezhës, protestuesit kanë vendosur se do të ketë përshkallëzim të protestave deri në bllokimin e rrugëve.

“Do të bllokojmë rrugën, do të protestojmë, do të njoftohemi me policinë e shtetit, kjo gjë nuk është e pranueshme, ne paguhemi në këtë bashki”.

UNUM është një festival muzikor me artistë dhe DJ nga e gjithë bota, e cila do të zgjasë nga data 1 deri më 6 qershor dhe do të zhvillohet në Ranën e Hedhun, Lezhë.

Edicionin e kaluar, mijëra të rinj nga vendi, rajoni dhe Evropa morën pjesë dhe u argëtuan nën tingujt e muzikës elektronike dhe jo vetëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore