Lajme

‘Turqia – Katari – Emiratet mund të operojnë aeroportin e Kabulit në mënyrë trepalëshe’


Turqia, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mund të operojnë në mënyrë trepalëshe për Aeroportin Ndërkombëtar të Kabul-it “Hamid Karzai”.

Kështu është shprehur të hënën e 27 dhjetorit ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Gjatë një konference për shtyp për të vlerësuar vitin 2021, Çavuşoğlu tha se “para se talebanët të merrnin pushtetin, ne ishim duke udhëhequr krahun ushtarak të aeroportit të Kabulit brenda fushëveprimit të NATO-s.

Pjesa civile drejtohej nga një kompani e Emirateve të Bashkuara Arabe”.

Ai bëri me dije se kompania operoi atje për rreth një vit e gjysmë.

“Administrata talebane kishte deklaruar se do të merrte propozime nga vende të ndryshme”.

“Ne lidhëm një marrëveshje me Katarin”, theksoi ai, duke iu referuar përpjekjeve të Ankarasë dhe Dohas për të operuar aeroportin.

Së fundmi, një delegacion teknik nga Turqia ka udhëtuar në Doha për t’u koordinuar me palën e Katarit.

“Miqtë tanë në Doha vazhduan të diskutojnë se çfarë mund të bëhet nëse kompania e përbashkët e Katarit dhe Turqisë merr përsipër funksionimin e aeroportit”.

Megjithatë, ai theksoi se Katari dhe Turqia ende nuk kanë arritur marrëveshje me talebanët.

“Është normale që vende të ndryshme të bëjnë oferta gjatë këtij procesi”.

Sundimtari de fakto i Emirateve të Bashkuara Arabe, Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan (MBZ), bëri një vizitë zyrtare në Ankara muajin e kaluar.

Çavuşoğlu tha se çështja u diskutua shkurtimisht në margjinat e takimit.

“Ata (Emiratet e Bashkuara Arabe) thanë se ne mund ta operojmë aeroportin në mënyrë trepalëshe”.

Asnjëra palë nuk i bëri ende një ofertë konkrete tjetrës për operacionin e përbashkët, shtoi ai, duke treguar se diskutime të ngjashme me ato me Doha-n nuk u zhvilluan mes dy vendeve.

Çavuşoğlu tha të hënën se Turqia mund të operojë së bashku me Katarin pesë aeroporte në Afganistan pas bisedimeve në Doha dhe Kabul.

Turqia ka punuar me Katarin për të rihapur aeroportin në kryeqytetin afgan për udhëtime ndërkombëtare.

Megjithatë, nevojiten riparime përpara se të rifillojnë fluturimet komerciale.

Pasi talebanët morën kontrollin e vendit, Turqia ofroi asistencë teknike dhe sigurie për të funksionalizuar aeroportin e Kabulit.

Mbajtja e aeroportit të hapur pas dorëzimit të kontrollit nga forcat e huaja është jetike për të mbajtur Afganistanin të lidhur me botën dhe për të mbajtur një furnizim të pandërprerë të ndihmës për shpërndarje.

Qeveria turke ka marrë një qasje pragmatike ndaj ngjarjeve të fundit në Afganistan.

Duke nënvizuar se në Afganistan janë shfaqur realitete të reja, Ankaraja tha se do të ecë përpara në përputhje me rrethanat, duke mbajtur të hapur komunikimin me të gjithë udhëheqësit përkatës.

Turqia, anëtare e NATO-s, mbajti ambasadën e saj në Afganistan, pasi vendet perëndimore u tërhoqën pas pushtimit të talebanëve dhe u ka kërkuar atyre vendeve që të rrisin angazhimin.

Në të njëjtën kohë, ai tha se do të funksionojë plotësisht me talebanët vetëm nëse ata formojnë një administratë më gjithëpërfshirëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore