Lajme

Tubacioni i gazit Rusi-Kinë do të hapet në vitin 2024, sipas Mongolisë


Mongolia pret që Rusia të fillojë ndërtimin e tubacionit të gazit “Power of Siberia 2” përmes territorit të saj drejt Kinës brenda dy viteve.

Kryeministri Oyun-Erdene Luvsannamsrai ka thënë se teksa lufta në Ukrainë ka turbulluar planifikimin për tubacionin, ai priste që ndërtimi të vazhdonte.

Projekti është bërë kritik për Rusinë pasi përballet me perspektivën e humbjes së Evropës si treg për gazin e vet pas pushtimit të Ukrainës.

“Studimi i fizibilitetit të këtij projekti ka përfunduar dhe besojmë se ndërtimi do të fillojë në vitin 2024”, ka thënë Luvsannamsrai.

Po ashtu ai ka shtuar se projekti i madh i minierës Oyu Tolgoi të Rio Tinto në Mongoli ishte në plan dhe se vendi po bënte përparim në përgatitjet për t’u marrë me shlyerjet e bonove të afërta.

“Power of Siberia 2” do të lidhë fushat siberiane që furnizojnë Evropën me Kinën, ku kërkesa për gaz sa vjen dhe rritet.

Mongolia është pa dalje në det midis Kinës dhe Rusisë.

Për Luvsannamsrai-n, rrethimi nga dy superfuqi në një kohë stresi gjeopolitik ka krijuar komplikime, por Mongolia është mësuar të punojë ngushtë me të dyja.

Ulan Bator nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Moskën në vitin 2019 për të eksploruar tubacionin, i cili do të transportonte deri në 50 miliardë metra kub gaz në vit nëpër territorin e saj.

Sipas kryeministrit Luvsannamsrai, nuk kishte pasur ndonjë rritje të konsiderueshme të presionit nga Rusia për të përshpejtuar ndërtimin e linjës, pavarësisht nga planet e Gazprom për të përqendruar fokusin në Azi.

Alexei Miller, shefi i Gazprom, ka sugjeruar se Kina do të bëhet klienti i saj themelor në të ardhmen.

Tubacioni prej 2 mijë e 600 kilometrash është parashikuar të hyjë në shërbim rreth vitit 2030, por drejtuesit e industrisë besojnë se kjo mund të ndodhë edhe më përpara.

E gjitha duke pasur parasysh nevojën e Moskës për të gjetur tregje për furnizimet e saj me energji.

Tarifat e tranzitit nga tubacioni do të ndihmojnë ekonominë e Mongolisë, e cila u godit rëndë nga pandemia.

Kina, partneri kryesor tregtar, i mbylli shpesh rrugët e eksportit mongol teksa përpiqej të kontrollonte virusin.

Luvsannamsrai pret që ekonomia e Mongolisë të forcohet këtë vit, e ndihmuar nga lidhjet e reja hekurudhore me Kinën që do të përdoren për të transportuar mallra si qymyri dhe bakri.

Në vitet e ardhshme, eksportet e bakrit pritet të rriten ndjeshëm pasi Rio Tinto zgjeron zhvillimin e një depozite të madhe bakri në shkretëtirën Gobi.

“Besojmë se rënia e fundit e çmimeve të mallrave është një tronditje e përkohshme për shkak të pandemisë dhe krizës ruso-ukrainase”, ka vijuar Luvsannamsrai.

“Ne kemi një pikëpamje optimiste se përdorimi dhe prodhimi i bakrit nuk do të ulet në të ardhmen, por do të rritet”, ka siguruar ai.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore