Lajme

Tirana gati për samitin e Procesit të Berlinit, publikohet agjenda e punimeve


Ashtu siç është paralajmëruar, të hënën e 16 tetorit do të mbahet në Tiranë samiti i Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.

Kjo do të shënojë herën e parë që samiti do të mbahet jashtë kufijve të unionit, e aq më tepër në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministria këtë të shtunë ka zbuluar edhe agjendën e këtij samiti.

Kështu në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve, e cila do të pasojë me fjalën hapëse 30 minuta më vonë.

Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët evropian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE.

Në orën 13:30 fotografia familjare.

Më pas sesioni i dytë i punës do të nisë në orën 15:30, ku do të diskutohet mbi mbështetjen e tranzicionit të gjelbër dhe digjital në Ballkanin Perëndimor.

Në agjendë është parashikuar edhe përurimi i Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.

E shumëpritur do të jetë konferenca e përbashkët për shtyp, që do të mbahet në orën 17:45.

E gjitha përfundon me ceremoninë e inaugurimit të Piramidës, në orën 18:30.

Masat policore

Ndërkaq Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për mediat ka bërë me dije masat që do të ndërmerren në kuadër të samitit.

Kështu, Policia njoftoi se nga nesër do të nis rrethimi në rrugë në mënyrë që të ketë siguri për këtë event të madh që do të zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, bëri të ditur se për mbarëvajtjen e këtij samiti do të jenë të angazhuar 1 mijë e 604 forca policore.

Policia shtoi se për garantimin dhe sigurinë e aktivitetit kemi bashkëpunuar me agjensitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend dhe me agjenci ndërkombëtare.

“Po bashkëpunojmë me bashkinë e Tiranës, Autoritetin Portul të Rinasit, Policinë bashkiake, shërbimin zjarrfikës dhe qendrën spitalore të Tiranës”.

Kështu, rrugët që do të jenë të bllokuara janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi i rrugës Ibrahim Rrugova, Rruga Papa Gjon Pali II – ETC – RTSH – stadiumi, rruga Ismail Qemali deri te rruga e Elbasanit, rruga Mustafa Matohiti.

Në këto akse rrugore, duke filluar nga ora 20:00 e datës 15 tetor deri në datën 16 në orën 11:00, do të ndalohet parkimi dhe qarkullimi i automjeteve por do të lejohet qarkullimi i qytetarëve që janë rezident në ambientet e banimit brenda këtij perimetri sigurie.

Sipas Bizhgës, në këto zona do të lejohet vetëm qarkullimi në këmbë i banorëve rezidentë.

Ndërsa në rrugën “Papa Gjon Pali II” nuk do të lejohet as qarkullimi i këmbësorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore