Aplikacione

TikTok-u po përgatit planin Project S për të hyrë në tregun e blerjeve online


TikTok-u po zgjeron ofertat e shitjes me pakicë në internet, me kompaninë mëmë që shet produkte përmes aplikacionit teksa grupi kërkon të sfidojë rivalët.

Javët e fundit, përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë filluar të shohin një veçori të re blerjeje brenda aplikacionit të quajtur Trendy Beat.

Ka të bëjë me një seksion që ofron artikuj që janë dëshmuar të njohura në video.

Të gjithë artikujt e reklamuar dërgohen nga Kina, shiten nga një kompani e regjistruar në Singapor që është në pronësi të kompanisë mëmë ByteDance.

Modeli, i ngjashëm me mënyrën se si Amazon promovon gamën e vet të artikujve më të shitur, përfaqëson një ndryshim të madh nga tregu ekzistues i blerjeve të TikTok-ut.

Aktualisht lejon shitësit e tjerë të shesin artikuj përmes TikTok Shop, i cili më pas merr një komision të vogël.

Në të kundërt, ByteDance do të merrte të gjitha të ardhurat nga shitjet e bëra përmes veçorisë Trendy Beat.

TikTok-u ka bërë me dije se aktualisht po teston funksionin.

“Ne jemi gjithmonë duke eksploruar mënyra të reja për të përmirësuar përvojën e komunitetit tonë dhe jemi në fazat e hershme të eksperimentimit me veçoritë e reja të blerjeve”, ka njoftuar kompania.

ByteDance po kërkon të ardhura të reja që mund të justifikojnë vlerësimin prej 300 miliardë dollarësh, gjë që e bën atë startup-in privat më të vlerësuar në botë, përpara një oferte fillestare të pritshme publike në dy vitet e ardhshme.

Përpjekja për të filluar shitjen e produkteve të veta njihet nga brenda si Project S, sipas njerëzve të njohur me diskutimet e brendshme.

Sipas tyre, ByteDance po ndërton një njësi të shitjes me pakicë në internet për të sfiduar grupe të tilla si Shein.

Projekti S drejtohet nga Bob Kang, shefi i tregtisë elektronike të ByteDance, i cili kohët e fundit ka udhëtuar nga Shangai për të bashkërenduar përpjekjet në zyrat e TikTok-ut në Londër.

Referuar TikTok-ut, Kang ishte në Mbretërinë e Bashkuar për një sërë arsyesh dhe raporton te shefi ekzekutiv i aplikacionit Shou Zi Chew.

Project S përdor njohuritë e TikTok-ut për artikujt që po bëhen virale në aplikacion, duke lejuar ByteDance t’i marrë ose t’i bëjë vetë ato artikuj, sipas njerëzve me njohuri për planin.

Për të rritur biznesin e saj të tregtisë elektronike, ByteDance kishte rekrutuar punonjës nga Shein, thanë dy punonjës.

Tregu i TikTok-ut, TikTok Shop, ka qenë i suksesshëm në tregjet në Azinë juglindore, duke përfshirë Indonezinë dhe Vietnamin, por ende po përpiqet të fitojë tërheqje në MB.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore