Lajme

Tentuan të kalonin Kanalin me varkë, britanikët konfirmojnë 4 të vdekur e 43 të shpëtuar


Të paktën katër persona kanë vdekur dhe 43 persona janë shpëtuar pasi u përpoqën të kalonin Kanalin Anglez në kushte ngrirjeje gjatë natës.

Një anëtar i një ekipi shpëtimi konfirmoi për “Sky News” se të paktën katër persona kanë vdekur, ndërsa një operacion i madh kërkimi dhe shpëtimi vazhdon në brigjet e Kentit.

“Shumë” u shpëtuan nga uji, sipas reporterit të “BBC-së”, Simon Jones, duke shtuar se një numër i vogël janë konfirmuar të vdekur.

“Këto janë ditët nga të cilat kemi frikë”, tha Sekretarja e Brendshme Suella Braverman.

Nga ana tjetër kryeministri Rishi Sunak shprehu dhimbjen e tij për “humbjen tragjike të jetës njerëzore”.

Varka ka të ngjarë të ketë transportuar emigrantë që rrezikojnë kalimin nga Franca, një ditë pasi  Sunak njoftoi masa të reja për të “ndaluar varkat”.

Varka e vogël që transportonte emigrantë raportohet të ketë hasur vështirësi orët e para të kësaj të mërkure në Kanalin Anglez, pranë Kentit.

Operacioni i madh i kërkim-shpëtimit u nis në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar në kushte ngrirjeje pas raportimeve për një incident rreth orës 03:40.

Rojet bregdetare, marina franceze dhe një ambulancë ajrore u dërguan në ndihmë.

Një anije peshkimi, e cila ishte gjithashtu në zonë, ndihmoi në shpëtim.

U përfshinë gjithashtu helikopterë të rojes bregdetare HM nga Lydd dhe Lee on Solent.

Shërbimi i Ambulancës në Bregun Juglindor tha se u thirr pas raportimeve të incidentit dhe dërgoi ekuipazhe në Dover, në Kent, për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.

Ministria e Mbrojtjes tha se ishte në dijeni të incidentit dhe agjencitë po mbështesnin reagimin e koordinuar.

Afro 45 mijë njerëz e kanë bërë udhëtimin këtë vit deri më tani.

Kryepeshkopi i Canterbury tha se ai “po lutej për viktimat e ngjarjeve të tmerrshme të sotme”, duke postuar në Twitter se debatet rreth azilkërkuesve “nuk kanë të bëjnë me statistikat, por me jetë të çmuara njerëzore”.

Tim Naor Hilton, nga organizata bamirëse Refugee Action, tha se tragjedia ishte e parashikueshme dhe e pashmangshme dhe më shumë njerëz do të vdisnin duke u përpjekur të arrinin sigurinë nëse qeveria nuk krijonte më shumë rrugë për njerëzit që të kërkonin azil.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore