Lajme

Temperaturat e larta, mungesa e klimatizimit – KGJK paralajmërojnë ndërprerje të punës në Pallatin e Drejtësisë


Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka drejtuar një letër të hapur udhëheqësve të institucioneve të Kosovës më anë të secilës paralajmëron ndërprerjen e punës për shkak të temperaturave të larta deri me 35 gradë celsius dhe mungesës së klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë.

“Edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, ndër vite, që bashkërisht me secilin nga përgjegjësit të punojmë për përmirësimin e kushteve elementare të punës në Pallatin e Drejtësisë, gjendja është përshkallëzuar më tepër dhe tani kemi arritur në situatën që gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës Supreme, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të Gjykatës së Apelit, të Gjykatës Komerciale dhe të Gjykatës Themelore të Prishtinës të punojnë në kushte alarmante të punës, si rezultat i mos funksionimit të sistemit të ajrosjes në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në letrën e KGJK-së.

Po ashtu në letër theksohet se kontrata për mirëmbajtjen e higjienës tashmë ka mbaruar gjë për të cilën Ministria e Punëve të Brendshme sipas tyre nuk është duke marrë përgjegjësi.

“Në vitin 2022 pas diskutimeve me personat përgjegjës nga MAPB jemi pajtuar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) të merr përsipër mirëmbajtjen e higjienës, por paraprakisht të bartet buxheti i domosdoshëm nga MAPB dhe KGJK  dhe kjo nuk ka ndodhur as me Ligjin për Buxhet të Vitit 2023. Edhe pse përgjegjësit në MAPB ishin në dijeni se KGJK nuk ka buxhet të dedikuar për mirëmbajtjen e Pallatit të Drejtësisë, në muajin Maj 2023 kanë informuar Sekretariatin e KGJK se kontrata për “mirëmbajtjen e higjienës” e lidhur mes MAPB dhe një kompanie private ka skaduar dhe nga ajo ditë MAPB nuk merr asnjë përgjegjësi”.

Në këtë letër thuhet se për shkak të gjendjes së krijuar, Këshilli Gjyqësor ka mbetur i vetëm në përpjekje për të gjetur zgjidhje të situatës duke kërkuar nga stafi i Pallatit të Drejtësisë të kujdesën për higjienën.

“Të gjendur në këtë situatë, Këshilli Gjyqësor në koordinim me Kryetarët e Gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë është i detyruar që në takimin e paralajmëruar për datën 25 korrik 2023 të merr vendim për ndërprerjen e punës deri në përmirësimin e gjendjes teknike ose rënies së temperaturave”.

Në letrën e hapur të KGJK-së, potencohet se ata mbesin me shpresë që të ndërmerren masa të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes në të cilën ndodhen sepse në të kundërtën do të dëmtohen një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore si dhe do të pamundësohen shërbimet ndaj qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore