Lajme

Telefonatë me senatoren amerikane dhe aleaten e Trump-it që mbështeti forcimin e FSK-së


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Senatoren amerikane, Joni Ernst, për të cilën tha se “ajo luajti një rol vendimtar në forcimin e Forcave tona të Sigurisë”.

Kurti e ka falënderuar atë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“E falënderova atë për mbështetjen e saj për Forcat tona të Sigurisë që po shndërrohen në një ushtri profesionale, duke punuar së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në promovimin e paqes dhe stabilitetit në botë”, ka shkruar Kurti.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka theksuar se gjatë kësaj bisede bashkë me senatoren kanë rënë dakord për të forcuar bashkëpunimin dhe për të vizituar njëri tjetrin sa më shpejt të jetë e mundur.

Joni Ernst është senatore nga Iowa. Ajo është një nga aleatet e afërta të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Ernst është nga republikanet që ruajti ulësen e saj në senat pas fitores së Demokratëve në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Ajo për vendin në Senatin amerikan ishte sfiduar nga demokratja, Theresa Greenfield.

Me nëntë mars të këtij viti, është mbajtur ceremonia e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së për në misionin e parë paqeruajtës në shtetin e Kuvajtit.

Vendimi për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit ishte marrë më 31 dhjetor, 2020, ndërsa me pesë janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka votuar unanimisht dërgimin e këtij kontingjenti të parë në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore