Lajme

Kosovë: FSK-ja nis misionin paqeruajtës në shtetin e Kuvajtit


Në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për në misionin e parë paqeruajtëse në botë, ka marrë pjesë ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se “kush do që kërcënon Amerikën dhe aleatët tjerë ka kërcënuar edhe Kosovën”.

Sipas saj, një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e SHBA-së, duke shtuar se Kosova do të jetë gjithnjë aleate e Amerikës.

“Ky mision gjashtë mujor i ushtarëve tanë po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht me ushtrinë amerikane. Të nderuar përfaqësues të SHBA-ve këta djem janë edhe djemtë tuaj. Misioni juaj është edhe misioni yni”, ka thënë Osmani në konferencën për medie.

Tutje ajo ka treguar se numri i këtyre djemve që do të nisen për në shtetin e Kuvajtit, është i vogël por që ata do të jenë nderi jo vetëm i Kosovës por edhe i partneritetit strategjik SHBA-ve.

“Ky kontingjent që po e dërgojmë në shtetin e Kuvajtit është i vogël në numër por i madh në përmbajtje dhe në mesazh”, këta djem po e shkruajnë historinë e re të forcës sonë”, ka shtuar ajo.

Me pesë janar të këtij viti Kuvendi i Kosovës votoi unanimisht dërgimin e kontingjentit të FSK-së jashtë vendit.

Një ditë më pas Osmani pati nënshkruar autorizimin për dërgimin e këtij kontingjenti në këtë mision të parë, krahë për krahë më miqtë amerikanë.

Programi i partneritetit shtetëror me ushtrinë amerikane ka për qëllim afatgjatë dhe ka për qëllim krijimin dhe zgjerimin e partneritetit në funksion të promovimit të sigurisë rajonale por edhe më gjerë.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se pjesëmarrja në misione të tilla është një ndër hapat më të rëndësishëm në historinë e Kosovës.

“Pjesëmarrja në misione paqeruajtëse, bashkë me aleatin tonë kryesor strategjik SHBA-të,  është ndër hapat më të rëndësishëm historikisht, që ka bërë Kosova si shtet dhe si Forcë e Sigurisë, drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike”, ka shkruar Hoti.

Po ashtu, ai ndihet i privilegjuar që në mandatin e qeverisë në detyrë, kontingjenti i FSK-së ka zbarkuar misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt.

“Ndihem gjithmonë krenar me djemtë dhe vajzat e FSK-së!”, ka theksuar Hoti.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së gjeneral, Rrahman Rama.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se ëndrra e shumë brezave po bëhet realitet.

“Është privilegj i veçantë të jemi dëshmitarë të një ngjarjeje historike për Kosovën. Në këtë moment të veçantë jemi të nderuar të kurorëzojmë sakrificën e shumë brezave në shërbim të atdheut që me shkronjat e FSK-së të shkruajnë historinë më të re të saj për kontributin e djemve e vajzave të ushtrisë në misione paqeruajtëse ndërkombëtare”, ka thënë Quni.

Tutje ai tha se Kosova po shënon hapin më të rëndësishëm për t’u rreshtuar krah forcave amerikane.

“Ky hap mund të duket i vogël për ushtarin që do të vendosë këmbën në rastin e këtij misioni por është hap shumë i madh për Kosovën. Hapa të tillë të vegjël janë hedhur disa herë ashtu siç i kanë hedhur ushtarët e FSK-së në trajnimet, përgatitjet, shkollimet e ushtrimet e tyre të pareshtura për të arritur deri në pikën kur bëhemi faktor i rëndësishëm i mbrojtjes dhe sigurisë për paqen botërore”, ka thënë ai.

Ai shtoi se flamuri i Kosovës do të rreshtohet krah flamujve të ushtrive më të fuqishme.

“Ne sot kemi të drejtë të ndihemi krenarë, sepse flamuri ynë do të rreshtohet përkrah flamurëve të ushtrive më të fuqishme”, tha Quni.

Përveç Osmanit e Qunit, një fjalim të shkurtër e ka mbajtur edhe komandanti i FSK-së gjeneral, Rrahman Rama, i cili ka thënë se kjo ditë është historike për Kosovën e cila po bëhet “zyrtarisht kontribuuese e misionit të ruajtjes së paqes përkrahë partnerëve dhe miqve tanë”.

Tutje Rama ka thënë se përkundër gjitha sfidave “kemi arritur të ndërtojmë një forcë profesionale të disiplinuar dhe shumë etnike dhe të gatshëm”.

Rama ka thënë se kjo arritje është “falë punës vetëmohuese, angazhimit dhe përkushtimit të plotë të pjesëtarëve të FSK-së”.

Po ashtu, sipas tij kjo arritje është edhe “meritë e partnerëve dhe miqve tanë, në veçanti e forcave të armatosura të SHBA-ve dhe gardës kombëtare të Iowas”.

Kjo ngjarje ka filluar nga ora 10:45 në sallën e sporteve në kazermën “Adem Jashari”, Prishtinë.

Vendimi për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit ishte marrë më 31 dhjetor, 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore