Lajme

Tanya Domi: Armiqtë më të këqinj janë te dera – situata mes Kosovës dhe Serbisë më e rrezikshmja ndër vite


Tanya Domi

Tanya Domi, profesoreshë në “University of Columbia” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njohëse e çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për gazetën boshnjake “Oslobodenje”, ka thënë se ngjarjet e fundit në Kosovë dhe në Bosnje-Hercegovinë ndërlidhen ngushtë me agresionin rus në Ukrainë.

Ish-zëdhënësja e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Sarajevë, ka thënë se jo-domosdoshmërisht Rusia do të sillte në rajon tankse dhe aeroplanë për të de-stabilizuar Ballkanin Perëndimor, ngase sipas saj, kjo tashmë po bëhet me anë të Aleksandër Vuçiçit dhe Milorad Dodikut.

“Armiqtë më të këqij janë në derë dhe EUFOR-i është i armatosur dobët. Prania e NATO-s, në atë masë siç është në Kosovë, duhet të jetë edhe në Bosnje-Hercegovinë. Unë do të doja të shihja NATO-n në Bosnje-Hercegovinë e cila do të ndihmojë EUFOR-in të marrë një pozicion më të fortë”, ka theksuar profesoresha amerikane.

Ajo ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe “shoku i tij i ngushtë”, lideri ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – Milorad Dodik, janë kërcënim i vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, gjithnjë duke marrë parasysh veprimet dhe deklaratat e tyre.

“Situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më e rrezikshme se sa ka qenë me vite dhe mendoj se kjo është pjesë e sfidës në rajon. Përshkallëzimi në kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë në dy vitet e fundit janë shoqëruar me aksione të ndryshme, përfshirë rrëmbimin e fundit të tre policëve të Kosovës”, ka kujtuar Domi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas vëzhgueses amerikane, nuk kanë treguar oreks dhe shtysë për të trajtuar problemet reale politike në rajon e veçanërisht në Serbi, ngase siç ka vërejtur ajo, amerikanët po blejnë municion nga Beogradi për t’i dërguar më pas ato në Ukrainë.

“Por kjo nuk do të thotë që ju duhet të ktheni të gjithë politikën e Departamentit të Shtetit mbi presidentin e një vendi ku 50 mijë njerëz po marshojnë në rrugë. Njerëzit në Serbi janë dukshëm të mërzitur”, ka thënë ndër të tjera ajo, duke iu referuar protestave masive në Beograd kundër presidentit serb.

Marrëdhëniet e ngushta mes Serbisë dhe Rusisë janë konceptuar shpesh si një kërcënim i përgjithshëm për Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërkohë, larg fushëbetejave të Ukrainës, konflikti po troket në derën e NATO-s, ku përpjekjet e mbështetura nga Rusia për të de-stabilizuar rajonin janë ngritur ndjeshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore