Lajme

Tahiri: Ju vrapues të “Ballkanit të Hapur” dëgjojeni çfarë tha Lavrov


Edita Tahiri

Deklarimi i ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, se presidenti i tij, Vladimir Putin e presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, koordinohen vazhdimisht dhe në çdo hap, për Edita Tahirin, ish-zëvendëskryeministre e Kosovës, do të duhej të ishte sinjal i mjaftueshëm për ata që përkrahin Ballkanin e Hapur.

“Lavrov deklaroi sot se Vuçiç dhe Putin koordinohen për çdo hap ne lidhje me Kosovën, kjo për neve moti ka qenë e qartë, mirëpo disa vrapues të ‘Ballkanit të Hapur’ mbase kanë nevojë ta heqin mjegullën serbo-ruse nga mendjet e tyre”, shkroi Tahiri në llogarinë e saj në Facebook.

Çfarë tha Lavrov?

Në takimin me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, Lavrov, ka deklaruar se Putin dhe Vuçiç “vazhdimisht flasin në telefon”.

“Ata krahasojnë qëndrimet e tyre dhe kordinojnë hapat për të ardhmen”, shtoi Lavrov.

Duke komentuar mosardhjen e tij në Beograd në qershor, ministri rus tha se “ata që e pamundësuan me urdhër të ‘bosëve’ të tyre duhet të kuptojnë se ‘djallëzitë’ e tyre nuk mund të tronditin marrëdhëniet ruso-serbe”.

Vulin dhe Lavrov ne takim

Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, thuhet se Lavrov dhe Vulin diskutuan për çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, për angazhimin e ndërsjellë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe koordinimin e ngushtë të përpjekjeve për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan.

“Duke marrë parasysh përkeqësimin e fundit të situatës në Kosovë dhe tensionet që janë ende të pranishme atje, u theksua domosdoshmëria e rregullimit të situatës në bazë të respektimit të rreptë të normave të së drejtës ndërkombëtare, duke u mbështetur në Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në komunikatë.

Vulin, ministri radikal i Vuçiç-it, ka qenë sot në Moskë, ku ka takuar Lavrovin, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Industrisë Speciale të Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore