Lajme

Szunyog: BE beson ende se me 3 prill zgjedhjet serbe duhet të mbahen në Kosovë


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Republikën e Kosovës, Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Republikën e Kosovës, Tomáš Szunyog, ka folur lidhur me mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë duke thënë se BE-ja beson ende se zgjedhjet e Serbisë duhet të mbahen edhe në Kosovë sipas praktikave të mëhershme.

“Bashkimi Evropian beson se praktika e krijuar, sipas së cilës OSBE organizon operacionin e grumbullimit të votave në Kosovë, duhet të vazhdojë, sipas rregullimit për situatën aktuale”, është deklaruar ai për “BBC në gjuhën serbe”, duke kujtuar se Kosova dhe Serbia për këtë çështje nuk kanë marrëveshje të arritur në Bruksel.

“Nuk ka marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, por megjithatë palët kanë krijuar një praktikë që lejon votimin në vetvete në Kosovë – dhe kjo mund të jetë një opsion i mundshëm për zgjedhje e 3 prillit”.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Republikën e Kosovës, Tomas Szunyog

Të dielën e 3 prillit Serbia mban zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Beogradi ka synuar me çdo kusht që procesi të organizohet edhe në territorin e Republikës së Kosovës, por kryeministri Albin Kurti ka kundërshtuar një gjë të tillë nëse Serbia nuk bënë një kërkesë institucioneve të Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur.

Kurti, ditë më parë deklaroi se zgjedhjet serbe nuk mund të mbahen pasi nuk është arritur asnjë marrëveshje paraprake mes dy vendeve, e cila paraqet kushtin për mbajtjen e tyre.

Ndërsa vendet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) përmes një deklarate të përbashkët janë shprehur të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës pas moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, teksa u shprehën vlerësues ndaj “qasjes konstruktive të Serbisë”.

“Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e tyre evropiane”, kanë shkruar shtetet e QUINT-it.

Për të kundërshtuar këtë vendim, serbët e Kosovës të premten kanë protestuar në qytezën e Graçanicës dhe në Mitrovicë të Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore