Lajme

Sveçla në Katar, merr pjesë në panairin për siguri “Milipol 2022”


Xhelal Sveçla në Katar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i shoqëruar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, po qëndron në Katar për një vizitë zyrtare, ku me ç’rast ka marrë pjesë në Panairin për siguri “Milipol 2022”, me ftesë të homologut, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al-Thani

Gjatë takimit me drejtorin e Sigurisë Publike, gjeneral major Saad bin Jassim Al Khulaifi, ministri Sveçla ka shprehur interesimin për thellimin e bashkëpunimit midis Policisë së Kosovës dhe të Katarit.

“Në këtë kontekst, është arritur pajtimi që dy palët të shkëmbejnë vizitat dhe të fuqizojnë bashkëpunim në çdo fushë, me theks të veçantë në sektorët që kanë të bëjnë me sigurinë publike”, thuhet në njoftimin për media.

Gjatë qëndrimit në Doha, ministri Sveçla ka vizituar edhe  Qendrën Komanduese Kombëtare (NCC), Agjencinë e Sigurisë Kibernetike, Institutin e Policisë, Qendrën e Forcës së Sigurisë së Brendshme (Lekhwiya) dhe Qendrën e Mbrojtjes Civile.

Gjatë vizitës në Qendrën Komanduese Kombëtare (NCC), ministri Sveçla është pritur nga brigadieri Khalifa Abdullah Al Nuaimi, i cili e ka njoftuar për detyrat dhe rolin e kësaj qendre. Gjithashtu, ministri Sveçla është njoftuar me sistemet e teknologjitë e fundit që përdor kjo qendër dhe me përgatitjet e saj për të siguruar mbarëvajtjen e Kupës së Botës FIFA 2022, që këtë vit mbahet në Katar.

Në Institutin e Policisë së Katarit, ministri Sveçla është pritur nga drejtori Nënkolonel Ali Saud Al-Hanzab, i cili e ka njoftuar me programet që ofron ky kolegj për përgatitjen e kuadrove të përgatitur në aspektin shkencor e praktik për të kryer detyrat e tyre si pjesë e Policisë. Ndërsa, drejtori i Qendrës së Sigurisë Kibernetike, Abdulrahman Ali Al Farahid Al Maliki, e ka njoftuar ministrin Sveçla dhe delegacionin që e shoqëronin me funksionimin e kësaj qendre.

Në vizitën që e ka bërë ministri Sveçla në Forcën e Sigurisë së Brendshme (Lekhwiya) dhe në Qendrën e Mbrojtjes Civile, ai është njoftuar me mënyrë e funksionimit, detyrat e përgjegjësitë, si dhe me pajisjet e teknologjinë që përdorin. Gjithashtu, janë diskutuar edhe mundësitë e bashkëpunimit midis Kosovës e Katarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore