Lajme

Suspendohet polici për mosreagim në rastin e sulmit ndaj gazetarit në Prizren


Momenti i sulmit

Është suspenduar për 72 orë një zyrtar policor për shkak të mosreagimit në mënyrë profesionale me rastin e sulmit ndaj gazetarit të mediumit “Nacionale” në Prizren.

Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës fillimisht ka thënë se “dje më datë 11.08.2023 në Prizren është organizuar një protestë kundër disa performancave në DokuFest, një festival ndërkombëtar tradicional i filmave dokumentar që mbahet në Prizren”.

“Në atë rast nga protestuesit një gazetar është sulmuar dhe është penguar në kryerjen e detyrës së tij”.

Lidhur me këtë policia në konsultim me prokurorin ka iniciuar rast “ Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Lidhur me rastin, policia bënë me dije se është identifikuar një i dyshimtë, i cili pas intervistimit është ndaluar për 48 orë.

“Sot Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren së bashku me Inspektoratin Policor të Kosovës kanë analizuar veprimet policore të policëve që ishin në vend ngjarje gjatë incidentit”.

Nga policia njoftojnë se pas vlerësimit dhe analizimit të të gjitha raporteve si dhe videoregjistrimeve gjatë protestës, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, pas konsultimin dhe sugjerimin nga IPK , “me qëllimi të hetimit të pavarur të këtij rasti, me vendim ka suspenduar për 72 orë një Rreshter Policor nga Stacioni Policor Prizren”.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Prizren në mbetet gjithmonë e përkushtuar për të ofruar ndihmë, rend dhe siguri për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për gazetarët me të cilët kemi bashkëpunim të shkëlqyer, të vazhdueshëm dhe profesional”, përfundon njoftimi i policisë.

Sulmin fizik ndaj ekipit të mediumit “Nacionale” e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Nga AGK janë shprehur të tronditur me sulmin ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren, të cilët ishin atje për të raportuar për proteston e thirrur nga imamët lokalë kundër festivalit “DokuFest”.

“Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja ka kërkuar nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë.

Çfarë ndodhi?

Të premten në Prizren është protestuar kundër një performance të realizuar në hapje të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest, që mbahet në të njëjtin qytet.

Thirrja për protestë është bërë Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit.

Qytetarët e mbledhur në Sheshin Shatërvan kanë mbajtur në duar mbishkrimet: “DokuFest i keq”, “Jo degjenerimit”, “Drogën larg fëmijëve tanë”, “Prizreni, qytet i historisë”.

Në nisje të edicionit të sivjetmë të festivalit, grupi kanadez “Peaches”, e ka realizuar një performancë në mbrojtje të transgjinorëve.

Organizatorët e festivalit u kanë thënë mediave lokale në Kosovë, se në hapje kanë marrë pjesë vetëm personat që kanë pasur bileta, dhe të gjithë kanë qenë mbi moshën 18-vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore