Lajme

S’ka qetësi për Kazakistanin – Gazetari dëshmon skenat apokaliptike në qytetin kryesor


Sytë e gjithë botës janë kthyer për nga Kazakistani, e më konkretisht, për nga qyteti kryesor, Almaty, ku pas ditësh të tëra protestash e dhjetëra jetë njerëzish të humbura, pamjet ngjajnë me ato të një bote post-apokaliptike.

Situatën e tillë e ka dëshmuar edhe një gazetar i medias britanike shtetërore BBC, i cili ka përshkruar peizashin çnjerëzor të së premtes.

“Aroma e mjeteve të djegura ndihet në ajër”, e nis ai tregimin rrënqethës. “Shumë pak njerëz janë rrugëve, pasi kanë frikë të dalin pas trazirave”.

Abdujalil Abdurasulov, nuk ka parë ndonjëherë qytetin më të madh kazak, me postblloqe të ngritura në pika strategjike. Aq më pak, ta kenë paralajmëruar me të shtëna në ajër, që ai dhe grupi i tij i xhirimit të mos u afrohet ushtarëve.

“Prej vitesh e kam vizituar Almatyn”, vijon ai. “Zakonisht është një qytet i zhurmshëm, me parqe të shumta dhe vende për të ngrënë e për të pirë. Sot, dyqanet, bankat, janë bastisur ose shkatërruar. Do të duhet pak kohë për t’u rimëkëmbur”.

Nga ajo çfarë gazetari konstaton, shumica e dëmeve është në sheshet e mëdha. Protesta kryesore ka ndodhur aty, me marshime demonstruesish të shumtë.

As selitë e mediave nuk janë kursyer. Bashkia, thuajse është shkrumbuar e tëra. E zezë sterr, atë e pati përpirë zjarri dhe tymi.

E premtja gjithsesi ka sjellë një lloj qetësie, të paktën sa i përket protestave. Grupe të vogla njerëzish dukeshin në horizont, veçse për të shkrepur ndonjë fotografi të vendeve të shkrumbuara.

Pavarësisht kësaj, të shtëna ende dëgjohen në ajër. Po ashtu edhe shpërthime.

“Kur mbërrita fillimisht, mendova se kishte rënë mjegulla në qytet. Më pas kuptova se me shumë gjasë kishte qenë tym prej granatave apo fishekzjarreve”.

Abdurasulov nuk ka ngurruar edhe të pyesë rezidentët mbi ngjarjet e fundit. Ata janë në shok dhe të inatosur. Protesta të tilla janë të paparashikueshme në Kazakistan dhe shumë persona janë të surprizuar se si u arrit në këtë pikë.

Aq sa, disa, janë të lumtur që forca ushtarake erdhën nga Rusia dhe vendet e tjera fqinje, për t’i dhënë fund një lufte të vërtetë civile dhe për të rikthyer rendin.

Çështja kryesore për të cilën protesta nisi, ishte rritja e çmimit të karburantit.

Sakaq, ajo nuk qe e vetmja.

Disa qytetarë kishin rrëfyer se ishin kauza të tjera, ato të cilat i ushqenin ata. Për shembull, pagat shumë të ulëta në zona rurale apo niveli ekonomik në tërësi.

Por tashmë, ato duken probleme të largëta.

Rezidentët në Almaty po përballen me mungesa ushqimore. Supermarketet e mëdha janë të mbyllura. Dyqanet të cilat janë rihapur pranojnë vetëm para në dorë, por është e vështirë të gjesh bankomate funksionale.

Nuk ka internet. Edhe marrja e një taksie, duket e rrezikshme.

Se çfarë po ndodh jashtë qytetit, duket si një sfidë e pamundur, kur as telefonët nuk punojnë si duhet.

Të tillë protestë, Kazakistani nuk ka parë ndonjëherë.

Për momentin, duket se normalizimi dhe qetësimi i gjakrave, është ajo çfarë e pret vendin.

Megjithatë, një shkëndijë e radhës, nuk është e pamundur, përderisa pakënaqësia vijon.

Ndoshta, një shkëndijë e radhës, mund t’i hedhë benzinë sërish zjarrit!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore