Shqipëria

S’ka pasur dieta për Berishën, ishte lapsus i Kuvendit


“Në lidhje me deklaratat e deputetit Sali Berisha, Kuvendi i Shqipërisë bën me dije se në llogarinë bankare të deputetit, për muajin shkurt është depozituar shuma totale e muajit ku nuk janë përfshirë dietat”.

Është ky reagimi i ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë, sa i përket dietave që mendohej se pati marrë ish-kreu i Partisë Demokratike gjatë këtij viti dhe të cilat pretendoi se i ka refuzuar që më parë.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Berisha shkruante se i bënte kërkesë Parlamentit që t’i tërhiqte dietat e derdhura në llogarinë e tij bankare. Kjo, pasi shpenzimet për lëvizjet jashtë Qarkut Tiranë, do t’i përballonte vetë.

“Unë jam deputet i Qarkut të Tiranës dhe si i tillë nuk do pranoj asnjë dietë deri në fund te mandatit. Lëvizjet e mia jashtë Qarkut të Tiranës do t’i përballoj me të ardhurat e mia”, shkruante Berisha.

Mirëpo, sipas Kuvendit, e gjithë çështja ka të bëjë me një lapsus, pasi në kolonën e dietave në publikimin online, totali i shumës së derdhura për deputetin Berisha, nuk i përmban dietat.

Sipas publikimit fillestar, për 93 deputetë të Kuvendit, dieta për muajin shkurt, ishte në shumën e 75 mijë e 250 lekëve. Ndër ta, bënte pjesë edhe Berisha në listë.

Për këtë arsye, politikani reagoi, duke e theksuar se nuk ka pasur dijeni për dieta të marra nga institucioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore