Lajme

Simiç aksioninin e policisë në Jarinje e quan “Demonstrim të forcës”


Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, aksionin policor të Njësisë Speciale të Kosovës në kufirin e Jarinjes në Kosovë, e ka quajtur demonstrim të forcës.

“Qytetarët e veriut të Kosovës janë të shqetësuar nga ky demonstrim i forcës”, ka thënë ai për televizionin serb TV Pink.

“Kryesia e Listës Serbe janë takuar mëngjesin e të hënës dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve të Prishtinës të cilët duan të destabilizojnë situatën”, ka deklaruar Simiç.

Simiç e ka quajtur shkelje të marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë aksionin dhe vendimin e qeverisë për aplikimin e reciprocitetit për targa.

“Kjo është shkelje brutale të Marrëveshjes së Brukselit, por shpresoj që të gjejmë zgjidhje politike”, tha ai.

Ndërkaq Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se shtimi i forcave policore në veri të Kosovës, është në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve.

Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme “është duke kryer veprime në të gjitha pikat kufitare, me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues”.

Kështu ka bërë të ditur ministri Sveçla, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, ka shkruar Sveçla.

“Njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, shtoi ai.

Ai njofton se nga 15 shtatori “nuk ka në qarkullim asnjë veturë me targat ‘KS’, duke thënë se targat e vetme ligjore janë ato me denominimin ‘RKS’”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore