Lajme

“Shuttle Diplomacy”, me shpresë se kësaj here funksionon


Foto nga Albanian Post

Lufta e njohur si “Yom Kippur” apo si “Lufta e Tetorit”, ishte zhvilluar mes Izraelit dhe një koalicioni të shteteve arabe të udhëhequra nga Egjipti dhe Siria. Lufta kishte zgjatur nga 6 deri me 25 tetor.

Do të zgjaste shumë më shumë, nëse sekretar amerikan i shtetit nuk do të ishte Henry Kissinger.

Kur e pa se asgjë tjetër s’po funksionon, Kissinger kishte filluar udhëtimet e shpeshta për të takuar dy palët dhe përfundimisht kishte arritur pajtim që t’i ndalnin luftimet aktive.

Aq e jashtëzakonshme ishte përpjekja e Kissinger, por edhe e suksesshme, saqë kjo lloj diplomacie mori emrin “Shuttle Diplomacy”. Nga atëherë, përpjekjet e ndërmjetësuesve që udhëtojnë një herë te njëra palë e një herë të tjera (jo domosdoshmërisht në konflikt të hapur), që “shuttle” sa në një anë sa në tjetrën, përshkruhen me këtë termë.

Si “Shuttle Diplomacy” po konsiderohen edhe përpjekjet e të dërguarit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe atij të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për të arritur një pajtim mes Kosovës e Serbisë, nëse jo për një marrëveshje finale, atëherë që të shmangen tensionet eventuale me 1 shtator, kur Kosova planifikon aplikimin e masave reciproke me Serbinë – për targat dhe lejet hyrëse/dalëse.

Escobar e Lajçak ishin bashkë edhe në Bruksel, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan në raundin e fundit të bisedimeve.

Por, tani, të dy, kanë vendosur të udhëtojnë për në Prishtinë fillimisht, e më pas edhe në Beograd.

Udhëtime këto në përpjekje për të gjetur modalitetet e lëvizjes përpara në ngërçin që supozohet se mund ta shkaktojë reciprociteti, marrë parasysh këtu edhe nata e 31 korrikut, kur u dëgjuan të shtëna armësh.

Në situata si takimi 5 orësh në Bruksel, kur dy polet e kundërta takohen direkt, mbahen pozicione statike dhe rrallë lëvizet nga qëndrimet fillestare. Pikërisht këtu futet në lojë manovra e ndërmjetësimit përmes “Shuttle Diplomacy”.

Kryesisht ndërmjetësuesit janë persona të shteteve të fuqishme që ngjallin respekt, që dëgjojnë palët dhe përtej ofertave e kërkesave të tyre, e kanë fuqinë, autoritetin dhe dijen të japin edhe propozime.

Këso takimesh pritet të zhvillojnë edhe Escobar e Lajçak në Prishtinë e Beograd.

Pjesë e takimeve, të pagëzuara si “dreka pune” është konfirmuar se do të jenë, të paktën në Kosovë, edhe liderët e partive opozitare – si synim për të arritur kohezion dhe një ide të përgjithshme se çfarë kërkon Kosova.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, partia më e madhe opozitare në parlament, kanë thënë për Albanian Post se “kryetari Memli Krasniqi, është i ftuar për drekë pune nga zotëri Escobar të martën pasdite”.

Takimi do të zhvillohet “në rezidencën e ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë”.

Përgjigje pozitive ndërmjetësuesve amerikano-evropian u ka thënë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Përpos darkës, do të ketë edhe takime të tjera”, ka deklaruar zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, për Albanian Post.

“Vlerësojmë rolin e BE-së dhe angazhimin e ShBA-ve në dialog. Duke ndjekur agjendën e paraparë, LDK do të takojë përfaqësuesit në fjalë, respektivisht Escobar dhe Lajçak”.

Dikur më vonë gjatë të hënës prezencën e tij e ka konfirmuar edhe lideri i partisë më të vogël opozitare, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.

“Është mirë që tashmë kryenegociatoret amerikano-evropianë janë në ‘shuttle diplomacy’ për të afruar qëndrimet e palëve nga takimi i fundit”, thotë Gazmir Raci, dikur vetë pjesë e një ekipi neogocitor – atij të Edita Tahirit.

“Besoj që janë takime të rregullta konsultative për marrëveshjen finale”, thotë ai.

“Është mirë të merret parasysh edhe mendimi i opozitës dhe për çështje të interesit nacional do ishte e udhës për sa më shumë konsensus nacional”.

Konsensus që pritet të kërkohet edhe në Serbi dhe nëse jo një marrëveshje finale, të paktën të stopohet konflikti i hapur që mund ta gjejë veriun e Kosovës nëse 1 shtatori i zë palët pa një pajtim.

Megjithatë, “Shuttle Diplomacy” jo gjithmonë funksionon.

Është i njohur rasti i sekretarit amerikan të shtetit, Alexander Haig, i cili kishte pasur udhëtime të shpeshta për në Londër e Buenos Aires, por gjithçka rezultoi e kotë, lufta për Ishujt Falkland nuk u shmang.

Madje, vetë Ballkani njeh një histori të tillë të dështimi

Në administratën e Bill Clinton, Richard Holbrooke, ishte angazhuar me vite në “Shuttle Diplomacy” si i dërguar special për Ballkanin, por në fund pa sukses, luftërat në territoret e ish-Jugosllavisë s’u evituan dot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore