Sport

Shqipëria U-17 për femra, trajneri Kola: Gjithmonë kam objektiv fitoren


Shqipëria U-17 për femra është grumbulluar prej ditësh në kompleksin “Tropikal”, pasi përgjatë shtatorit do të luajë dy ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2021/22.

Shqipëria është pjesë e Grupit B në kualifikuese, së bashku me Malin e Zi dhe Azerbajxhanin. UEFA ka vendosur që Shqipëria të organizojë të gjitha ndeshjet e këtij grupi, të cilat do të zhvillohen në “Elbasan Arena”.

Vajzat kuq e zi do të kenë përballjen e parë më 24 shtator me Malin e Zi dhe gjashtë ditë më vonë do të përballen me Azerbajxhanin.

Nga grumbullimi kombëtares U-17, trajneri Agustin Kola, ka folur për median e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Tekniku ka thëne se objektivi është fitorja në të dy ndeshjet dhe gjithashtu synimi është që të furnizojë sa me shumë ekipin e parë me lojtare.

“Objektivat tonë janë që të dërgojmë sa më shumë vajza në ekipin A. E pamë edhe herën e fundit që kemi luajtur, që kemi vajza të talentuara, luajtën futboll të mirë dhe këtë objektiv kemi edhe këtë herë, pasi janë vajza të reja. Dy-tre kemi nga grupi i fundit. Janë vajza që kanë dëshirë të luajnë futboll”, tha Kola.

“Gjithmonë kam pasur si objektiv fitoren. E pamë edhe para dy vitesh, por edhe këtë radhë, si Shqipëria A e djemve që luajnë në sulm, edhe ne atë lojë duhet të japim”.

“Për mua gjithmonë ka qenë sulmi, mbrojtja më e mirë. Më ka dhënë rezultat si lojtar, ashtu edhe trajner”.

“Dëshira ime është që këto vajza të bëhen futbolliste, të luajnë mirë dhe të arrijnë objektivat e veta në jetë”, ka shtuar më tej tekniku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore