Lajme

Shoqëria civile kundërshton vendimin e Vjosa Osmanit për shkarkimin e Valdete Dakës


Organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur kundërshtimin e tyre karshi vendimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Rrjeti i organizatave kanë vlerësuar se vendimi është i bazuar në motive politike dhe vjen si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë, pas zgjedhjeve të fundit.

“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote”.

“Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve”, thuhet mes të tjerash në reagimin e tyre.

Revoltën pas vendimit të Osmanit e ka shprehur edhe hulumtuesi dhe zyrtari i projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli.

“Marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve”, ka mbishkruar Cakolli.

Organizatat, të cilat kundërshtuan vendimin e Presidentes së vendit, janë: Demokracia për Zhvillim (D4D), Demokracia Plus (D+), INDEP, INPO, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Pjesë e këtij kundërshtimi janë edhe organizatat, si: Lëvizja “FOL”, Organizata “Nënë Tereza”, Organizata “Çohu” dhe “Syri i Vizionit”.

Ndryshe, Presidentja, Vjosa Osmani e ka shkarkuar nga detyra e Kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Dakën.

Vendimin për shkarkimin e Dakës, e ka bërë publik Zyra për Medie e Presidencës në të cilin thuhet se “ Znj. Valdete Daka i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës”.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga të gjitha institucionet relevante dhe duhet menaxhuar nga brenda nga Kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore