Lajme

Shefi i diplomacisë turke i quan fjalët e Macron-it për Turqinë “për të ardhur keq”


Për ministrin e Jashtëm turk, deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron në Algjeri për Turqinë ishin “për të ardhur keq”.

“Deklaratat e Macron-it ishin jashtëzakonisht për të ardhur keq. Është në të gjitha interesat tona që të flasim me njëri-tjetrin dhe jo për njëri-tjetrin”, ka thënë Mevlüt Çavuşoğlu.

Këtë, gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologen e tij franceze, Catherine Colonna.

Sipas ministrit turk, nuk është e drejtë që Turqia të shihet si një konkurrente.

Ai ka ravijëzuar se Ankaraja nuk sheh asnjë vend në Afrikë apo gjetkë si konkurrent dhe se dëshiron të bashkëpunojë me të gjithë.

Po ashtu i ka drejtuar thirrje Francës që të bashkëpunojë edhe në kontinentin afrikan.

“Të ndihmojmë vendet afrikane të zhvillohen. Ka pasur një dialog mes presidentëve tanë të nderuar, i cili është duke u përmirësuar gjatë dy viteve të fundit. Është në të gjitha interesat tona që të flasim me njëri-tjetrin dhe jo për njëri-tjetrin”, ka vijuar Çavuşoğlu.

Muajin e kaluar, Macron viitoi Algjerinë.

Gjatë vizitës së tij atje thuhet se ka thënë se “në Turqi, Rusi dhe Kinë, ka rrjete të aktivizmit, agjendave neo-koloniale dhe imperialiste dhe propagandës kundër Francës”.

Çavuşoğlu ka treguar se në takimin me ministren francez, kanë rënë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh kundër sfidave rajonale dhe globale.

“Ne e vlerësuam veçanërisht çështjen e Ukrainës. Është e qartë se ne dhe Franca nuk biem dakord për çdo çështje. Por kjo nuk na pengon të dialogojmë dhe të punojmë së bashku. Ne kemi parë se mund të zvogëlojmë dallimet tona të opinioneve përmes dialogut”, ka shtuar ai.

Sakaq, Colonna u takua me homologun e saj turk përpara se të fluturonte për në Athinë për të adresuar një rritje të re të tensioneve midis dy fqinjëve të NATO-s.

“Ne kemi lidhje të veçanta me Greqinë. Por mbi të gjitha, ne duam që dy fqinjët dhe aleatët të zgjidhin çdo dallim që mund të kenë përmes dialogut”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore