Lajme

SHBA i premton Izraelit se Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore


Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken (majtas), me kryeministrin izraelit, Naftai Bennett, në Jerusalem të dielën.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka siguruar Izraelin dhe aleatët e tij të Gjirit se Irani nuk do të marrë kurrë armë atomike, përpara rinovimit të mundshëm të marrëveshjes bërthamore me Teheranin.

“Kur bëhet fjalë për elementin më të rëndësishëm, ne shohim sy për sy”, tha Blinken të dielën në një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Yair Lapid.

“Ne të dy jemi të vendosur, se Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”.

Komentet e Blinken-it erdhën përpara një takimi me katër ministrat e Jashtëm arabë në një samit të jashtëzakonshëm, të organizuar nga kryeministri izraelit, Naftali Bennett – ngjarje që në vetvete tregon sesi peizazhi i marrëdhënieve të Izraelit me disa shtete arabe është transformuar në 18 muajt e fundit, i nxitur pjesërisht nga frika për fundin e afërt të izolimit ekonomik të Iranit.

SHBA-të u përpoqën të siguronin një aleancë, por Washington-i nuk do të pajtohej me kërkesën e Iranit që SHBA të heqë përcaktimin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si një organizatë e huaj terroriste.

Duke folur në forumin e Dohas në Katar, Robert Malley, i dërguari special i SHBA-ve për Iranin, tha se: “Kjo nuk është një marrëveshje që synon ta zgjidhë këtë çështje. Shumë në rajon e shohin IRGC-në në të njëjtën mënyrë që ne i shohim ata. Mund t’ju them se IRGC do të mbetet e sanksionuar sipas ligjit të SHBA-ve dhe perceptimet tona, pikëpamjet tona, politika jonë ndaj IRGC-së nuk kanë ndryshuar”.

Një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit këmbënguli më herët në të njëjtën ngjarje se heqja e IRGC nga sanksionet ishte një parakusht për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të 2015-ës.

Bisedimet mbi marrëveshjen kanë nisur për gati një vit në Vjenë.

IRGC është një pjesë qendrore e bazës së pushtetit të regjimit iranian dhe aktivitetet e saj në Liban, Jemen, Irak dhe Siri, në sytë e Iranit, kanë qenë qendrore për reduktimin e ndikimit të terrorizmit islamist, të SHBA-ve dhe monarkive të Gjirit që varen nga SHBA-ja për fuqinë e tyre.

Korpusi është përcaktuar si një organizatë terroriste që nga viti 2019 dhe kishte sanksione të vendosura ndaj saj në vitin 2017, por aktivitetet e saj në të gjithë Lindjen e Mesme janë mbajtur jashtë tryezës nga Irani, i cili ka këmbëngulur që agjenda të fokusohet vetëm në kushtet për kthimin e Amerikës në marrëveshjen bërthamore.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken (majtas), me kryeministrin izraelit, Naftai Bennett, në Jerusalem të dielën. Fotografia: Shutterstock

SHBA doli nga marrëveshja në vitin 2018, duke e çuar Iranin në faza për të reduktuar angazhimet e veta sipas marrëveshjes, duke përfshirë zgjerimin e aftësisë së tij për pasurimin e uraniumit.

Malley tha se administrata Biden mund të premtojë vetëm se SHBA-ja do të mbetet në marrëveshje, për sa kohë që Irani mbetet në përputhje me kushtet e saj.

Kharrazi tha se ishin 500 individë dhe institucione të tjera që u nënshtroheshin sanksioneve të SHBA-ve që kishin “ndikim të drejtpërdrejtë” në marrëdhëniet e Iranit me Perëndimin dhe bëri thirrje që SHBA-të të ndërmarrin veprime edhe ndaj tyre.

Kharrazi, ish-ministër i Jashtëm, është president i Këshillit Strategjik për Marrëdhëniet me Jashtë në Teheran dhe pikëpamjet e tij janë në përputhje të ngushtë me ato të regjimit iranian.

Malley refuzoi të ishte optimist për një marrëveshje, duke thënë: “Ne kemi qenë shumë afër për disa kohë dhe mendoj se kjo ju tregon vështirësinë e çështjeve që mbeten”.

Gjithashtu të dielën, koordinatori i Bashkimit Evropian u takua me ministrin e Jashtëm të Iranit dhe kryenegociatorin e tij, për bisedimet bërthamore.

“Duke punuar për të mbyllur boshllëqet e mbetura në #ViennaTalks”, shkroi në Twitter diplomati i BE-së, Enrique Mora, para udhëtimit të tij.

“Ne duhet ta përfundojmë këtë negociatë. Është shumë në rrezik”.

Në SHBA, senatorët republikanë dhe demokratë po mblidhen për të krijuar një aleancë këtë javë për të bllokuar çdo njohje të IRGC-së ose çdo heqje të sanksioneve ndaj organizatës.

Në një deklaratë të përbashkët javën e kaluar, kryeministri izraelit dhe ministri i Jashtëm thanë: “IRGC është një organizatë terroriste që ka vrarë mijëra njerëz, përfshirë amerikanë. Ne refuzojmë të besojmë se SHBA-të do të heqin përcaktimin e saj si një organizatë terroriste”.

Duke folur në Izrael, Blinken megjithatë mbrojti parimin e përpjekjes për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit , duke thënë se: “SHBA beson se kthimi në zbatimin e plotë të marrëveshjes është mënyra më e mirë për ta rikthyer programin bërthamor të Iranit në kutinë në të cilën ishte, por ka ikur që kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga ajo marrëveshje”.

“Por, pavarësisht nëse ka një marrëveshje apo jo, angazhimi ynë ndaj parimit thelbësor që Irani të mos marrë kurrë një armë bërthamore është i palëkundur. Dhe, në një mënyrë apo tjetër, ne do të vazhdojmë të koordinojmë ngushtë me partnerët tanë izraelitë në rrugën përpara”.

Në samitin e Izraelit morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm nga Bahreini, Egjipti, Maroku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore