Lajme

Serwer e cilëson “marrëzi” kërkesën e ndërkombëtarëve që Kurti të kryejë “vetëvrasje politike” për Asociacionin


Daniel Serwer

Daniel Serwer, specialist në fushën e menaxhimit të konfliktit dhe vëzhgues i njohur i zhvillimeve politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sugjeroi bashkësinë e organizuar ndërkombëtare të mos presë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Në një opinon të publikuar të shtunën, ligjëruesi në Univeristetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), konsideroi se pritja e ndërkombëtarëve që kryeministri Kurti të kryejë “vetëvrasje politike” duke i hapur rrugë themelimit të këtij mekanizmi pa marrë asgjë në këmbim nga Serbia, nuk është asgjë tjetër përpos “marrëzi” diplomatike.

“Kryeministri Kurti ka mbajtur një pozitë dominuese përgjatë pesë viteve të fundit në politikën e Kosovës. S’do të kishte mënyrë më të shpejtë për ta humbur sesa t’ia jepte Serbisë këtë Asociacion pa marrë asgjë në këmbim. Të presësh që ai të kryejë vetëvrasje politike për të kënaqur Beogradin është keqpërdorim diplomatik”, shkroi Serwer në një artikull të fundit.

Ai argumentoi tutje se mënyra e vetme për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është që serbët e Kosovës të marrin pjesë në qeverisjen qendrore, shteti serb të pranojë autoritetin kushtetues dhe gjyqësor të Kosovës në pjesën veriore të territorit dhe t’i japë fund kundërshtimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ndryshe, tri shtetet kryesore evropiane – Franca, Gjermania dhe Italia – duan të shohin lëvizje konkrete nga Kosova drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e draft-statutit për këtë mekanizëm për serbët e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese përpara se ata të bien dakord për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndryshe, vendimmarrja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës i takon ministrave të jashtëm të shteteve anëtare që pritet të mblidhet në mes të muajit maj. E për të marrë dy të tretat e votave të nevojshme, vendi i vogël ballkanik duhet të ngrisë “pesha të rënda” nëse dëshiron që përfundisht të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër të kontinentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore