Lajme

Sërish nisin punimet në “Rrugën A”


Rruga A.

Gjykata Komerciale sërish ka marrë vendim për të rinisur punimet në rrugën A, pas tre muajve pezullimet punimeve në këtë rrugë.

Ky vendim është marrë pasi dhoma e shkallës së dytë e kishte rrëzuar vendimin e shkallës së parë të gjykatës, në një vendim të shpallur të premten e javës së kaluar.

“NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative, KA.nr.181/23 i datës 30.11.2023 ashtu që vendoset si në vijim: REFUZOHET si e pabazuar kërkesa e paditësit “Pro & CO Group” Sh.P.K, me seli në Graçanicë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit PSh.nr.144/23 të datës 19.04.2023 të Organit Shqyrtues të Prokurimit”, thuhet në aktvendim.

Në njoftim thuhet se kundër këtij aktvendimi në afatin ligjor ka paraqitur ankesë i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Kjo për shkak të: shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që gjykata të aprovoj ankesën si të bazuar, të ndryshohet aktvendimi nr. KA.nr.181/23 i datës 30.11.2023 ashtu që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit “Pro & CO Group”, Sh.p.k, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës PSh. nr. 144/23 të datës 19.04.2023”.

Kundër aktvendimit të Dhomave të Shkallës së Parë, ankesë kanë parashtruar edhe komuna e Prishtinës dhe operatori ekonomik “Sallahu”.

I pari i Prishtinës, vendimin e Gjykatës Komerciale për t’i ndalë punimet në “Rrugën A”, e kishte konsideruar si një vendim që është i bazuar në interesa politike e grupe interesi, pasi që gjyqtarja që e ka marrë këtë vendim është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

Ai kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të sigurojë që ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj.

Reagime të shumta për ndalimin e kësaj rruge kishte pasur edhe nga partitë opozitare nga ta sjellja në një rast të tillë tregon për një veprim të kontaminuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore