Shqipëria

Sektori i bujqësisë, më pak i prekuri nga kriza e pandemisë Covid-19


“Angazhimi i diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqipëri”. Ky është projekti i ndërmarrë nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare për të bërë të mundur transferimin eficient të njohurive në bujqësi të diasporës shqiptare, drejt sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme bujqësore në Shqipëri.

Ky projekt synon që t’u vijë në ndihmë fermerëve shqiptarë. Por, sa të informuar janë këta të fundit për platformën “Diaspora na mëson”?

Albanian Post (AP) në një hulumtim të bërë në faqen zyrtare të https://diasporanameson.al/ ka vërejtur se 38 fermerë janë përfituesit nga 115 që kanë marrë pjesë në trajnime (katër).

Sipas fermerëve, ndihma që kanë marrë nga ky projekt, nëpërmjet trajnimeve të ndryshme, ka qenë më se i vlefshëm.

“Më mësuan që nga përpunimi i tokës, deri te kultivimi i saj”, u shpreh Bajram Hidri për AP-në.

Në vijim, fermeri nga qyteti i Vorës tregon sesi, pasi kishte vendosur të mbillte shegë, përpara se të merrej me kultivimin e tyre i ishte drejtuar platformës “Diaspora na mëson”.

“Aty mora këshillat e para të vlefshme, para se të investoja në kultivimin e shegëve”.

Sipas tij, krijimi i një platforme të tillë, i dukej një ide mjaft e mirë, që u vjen në ndihmë të gjithë atyre fermerëve që duan të investojnë në bujqësi.

Në fakt, përgjatë vitit 2020, eksportet e prodhimeve bujqësore kanë pasur rritje të ndjeshme, tendencë që ka vijuar me ritme të larta edhe këtë vit.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) në muajin janar 2021, eksporti i zarzavateve dhe frutave u rrit me 102% në raport me një vit më parë. Në janar 2021, eksportet totale të këtij grupi arritën vlerën e 451 milionë lekëve nga 203 milionë lekë që ishin në janar 2020.

Zakonisht muaji janar është i dobët në eksportin e prodhimeve bujqësore, pasi përfundon prodhimi sezonal.

Në një prononcim për Albanian Post, Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare bën me dije se projekti është realizuar me mbështetjen e Shoqatës së Kultivuesve italianë (AIC) dhe mbështetur financiarisht nga IOM Albania.

Synimi i këtij projekti është angazhimi i diasporës në transferimin e njohurive bujqësore te fermerët shqiptarë.

Sipas këtij projekti, fermerët mund të marrin informacion nga faqja zyrtare thjesht duke pyetur ekspertin e fushës.

Objekti parësor i zbatimit të projektit janë sipërmarrjet anëtare të Dhomës së Biznesit të Diasporës që zhvillojnë aktivitetin në bujqësi dhe në industrinë përpunuese të zonave rurale të Kavajës, Durrësit dhe Përmetit.

Po në kushtet e pandemisë?

Sipas Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, gjatë pandemisë, projekti i ndërmarrë ka qenë prezent për çdo fermer që dëshiron të marrë informacionet e nevojshme për të krijuar plantacionet e veta në prodhimin e shegëve, hudhrës, ullirit dhe teknologjitë e përpunimit të tij deri edhe te përpunimi i mishit etj.

Agjencia merret dhe me organizimin e workshop-eve, të cilat në kushtet e pandemisë zhvillohen online dhe mund të ndiqen nga të gjithë.

Sipas të dhënave paraprake, në tremujorin e parë të vitit 2020, vlera e shtuar bruto e formuar nga sektori i bujqësisë u rrit me 0.7%, dhe në tremujorin e dytë u tkurr me 2.1%.

Nga një analizë e thjeshtë, kjo do të thotë se sektori i bujqësisë mbetet më pak i prekur nga kriza e pandemisë Covid-19 sesa sektorët e tjerë të ekonomisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore