Lajme

Seanca gjyqësore për vrasjen e Agonis Tetajt – gruaja e të ndjerit kërkon të largohen videoincizimet


Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agon Tetajt

Albesa Cacaj, gruaja e tani të ndjerit Agonis Tetaj, i vrarë në vendin e punës në vitin 2018 në Deçan nga Shaban Gogaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë që të largohen videoincizimet e vendit të ngjarjes nga dita kritike.

Një kërkesë të tillë ajo e ka parashtruar në seancën që është duke u mbajtur këtë të hënë, ku për vrasjen e bashkëshortit të saj po akuzohet Shaban Gogaj, raporton “Betimi për Drejtësi”, përcjellë Albanian Post.

Sipas saj, “videoincizimet në fjalë po ndikojnë negativisht te e gjithë familja dhe se publikimi i tyre është bërë pa informimin dhe autorizimin e saj”.

Ndërkohë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, theksoi se do ta shqyrtojë më vonë, pasi gjatë seancën të së hënës do të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve.

Ai tashmë po akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, për dallim nga cilësimi që ishte bërë nga prokurori Agron Uka, i cili Gogajn e ngarkonte me veprën penale të vrasjes nga pakujdesia.

Rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje nga pakujdesia në vrasje të rëndë e ka bërë prokurori i ri që është caktuar për këtë rast Isuf Sadiku.

Gjykata Themelore në Pejë, më 19 mars 2021, kishte vendosur që të rihapë seancën e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast.

Një gjë e tillë kishte ndodhur pasi prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka, kishte bërë ricilësimin e aktakuzës ndaj Gogajt, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Ky ricilësim i aktakuzës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj kishte ngjallur reagime nga familjarët e viktimës, ku nëna, babai dhe bashkëshortja e të ndjerit e kishin lëshuan sallën e gjykimit.

Mirëpo, pas reagimeve të shumta në publik, me vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ishte bërë ndërrimi i prokurorit për këtë çështje, ashtu që lënda i ishte marrë prokurorit Uka dhe i është caktuar prokurorit Isuf Sadiku.

Kryeprokurori Lumezi kishte kërkuar që të bëhej hapja e serishme e gjykimit, pasi pas rikualifikimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, i akuzuari Shaban Gogaj e kishte pranuar fajësinë, si dhe po ashtu kishte kërkuar që të fillojnë procedurat disiplinore ndaj prokurorit Uka.

Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj nga qyteti i Deçanit në Kosovë, përmes një emali dërguar mediave, organizatave joqeveritare dhe ambasadave të huaja në Kosovë, kishte publikuar videon e aktit të vrasjes së djalit të tij në vitin 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore