Art&dizajn

“Sarajet e Toptanasve” nga origjina deri më sot


Shtëpia e Toptanasve ose “Sarajet” e Toptanasve, u ndërtua në fillim të shekullit XVIII nga një prej familjeve më të mëdha e autoktone të Tiranës, ajo e Toptanasve, që shtëpi mëmë kanë pasur vilën ku sot ndodhet kinema ‘Millenium’.

Një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Sarajet përbehen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme.

Rrethuar me mure masive të lartë prej guri, ky kompleks krijon një fortifikim, duke marrë pamjen e një kështjelle të vogël , përbëjnë vlerë arkitekturore për Tiranën.

Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës.

Banesa me dy kate, e ndërtuar nga mjeshtrat dibranë, është vendosur mbi një parcelë të rrafshët me orientim nga jug-lindja, duke i drejtuar diellit pamjen kryesore.

Në vitet ’20, me vendosjen e mardhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, godina u kthye në seli e Legatës Amerikane, në pritje të ndërtimit të selisë së re që kanë edhe sot.

Gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut Sarajet u shndërruan në Bibliotekë Kombëtare nga vitet ‘30 deri rreth vitit 1955, ndërsa pas Çlirimit u kthyu kthye në godinë banimi për familjarë.

Në vitin 1963 u shpall monument kulture, i mbrojtur nga shteti dhe u shndërrua pikërisht edhe në zyra për Insitutin e Monumenteve të Kulturës. Njëkohësisht në këto vite vila njeh edhe restaurimin e saj të parë.

Në vitin 2001, kohë në të cilën me vendim gjykate dhe vendim të kthimit të pronave, instituti i zhvendos që aty për t’ia kthyer godinën ish pronarëve.

“Do kishte qenë e udhës që shteti t’i kishte shpronësuar që në atë kohë pronarët, por kjo nuk u bë”, shkruan Drejtori  i Përgjithshëm i Agjensisë Shtetërore e Kadastrës (ASHK), Artan Lame, i cili njëkohësisht është veprimtar i shoqërise civile për mbrojtjen e Trashëgimise Kulturore Shqiptare

Ai i ka ka kushtuar një postim të detajuar në Facebook situatës së zjarrvënies së Sarajave duke e shoqëruar historikun e tyre me rrëfimin e tij personal.

Lame thkeson se për disa vjet godina hyri në udhën e degradimit, proces i cili u ndërpre për disa vjet nga një sipërmarës shqiptar, i cili e mori me qera nga pronarët dhe e ktheu në restorant.

“Mbaj mend që në atë kohë më ka thirur ky biznesmen mua dhe Tan Shkrelin dhe i dhamë disa ide për mënyrën e restaurimit. Madje edhe emrin që e njohin sot të gjithë, Sarajet, ja propozuam ne”, shkruan ai

Lame përmbyll statusin e tij duke thënë se me largimin e biznesmenit nga godina si pasojë e mosmarrëveshjeve mes pronarëve objekti hyri sërisht në rrugën e degradimit, “nga e cila besoj se do të dalë përfundimisht këto ditë me përfundimin e procedurave të shpronësimit”.

Në mesnatën e 16 gushtit, monumenti i kulturës “Sarajet e Toptanasve”, u përfshi nga flakët e zjarrit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në prononcimin e tij mbi situatën e zjarrit , sqaroi se monumenti nuk do transformohet në ndërtim por do ketë kthehet në një shtëpie muze.

Ai tha se është identifikuar autori i zjarrvënies, por nuk përmendi emra.

Ai tha se fillimisht zjarri është përhapur në katin e parë dhe është vendosur nga dritaret e pasme, ku janë gjetur të thyera.

Në fjalën e tij përmendi emrin e ish-Presidentit Bujar Nishani, si pjesë e pronësisë së monumetit dhe kërkoi reagimin mbi çështjen.

“Të gjithë ata që kanë histeri, i ngatërrojnë gjërat me dashje. Sarajet hyn tek kjo kategori, tallashi i teatrit nuk e kishte statusin. Kemi vendosur roje 24 orë. Do jetë në rendin e ditës sapo të formohet qeveria e re Rama. Sapo kemi përfunduar procedurën finale”.

”Akti i djeshëm ishte akti i fundit i një pale të pashpresë që ka përdorur dhe politikën dhe lobimet dhe shantazhin”, u shpreh Veliaj.

“E gjithë ndërtesa e Sarajeve do pësojë një transformim para se të hapet për publikun. Do kemi një skuadër restauratorësh”, tha ai.

Veliaj sqaroi edhe vonesat e çështjes së shpronësimit të Sarajeve duke thënë se: “Së pari se paratë nuk priten me gërshërë. Janë para që vijnë nga xhepi i publikes. Pra buxheti i shpronësimeve është fiks në një vit dhe secili prej projekteve zë një radhë”.

Ai u shprehu se rikonstruksioni do  të bëhet me konkurs duke theskuar se gama e atyre që janë të specializuar për ta realizuar është e ngushtë.

“Besoj që zgjat disa muaj puna dhe besoj vitin tjetër do kemi muzeun etnografik të Tiranës dhe muzeun e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA”, përfundoi kryebashkiaku i Tiranës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore