Art&dizajn

Petrit Halilaj, ylli që po shkëlqen në arenën artistike ndërkombëtare, sipas The New York Times


Prestigjiozja amerikane The New York Times i ka kushtuar një artikull të veçantë artistit kosovar, Petrit Halilaj.

“Një artist nga Kosova merr fluturimin”, është titulli që tabloidi me lexues nga mbarë bota i ka vënë artikullit dedikuar Halilajt, derisa brenda tij, artisti është përshkruar si “një yll që po shkëlqen në skenën artistike internacionale”.

“Pas një fëmijërie të shënuar nga lufta dhe internimi, Petrit Halilaj është kthyer në një nga talentët e mëdhenj të brezit të tij”, thotë nëntitulli i prestigjiozes.

Duke marrë ftesën për projektin më të madh të tij në Shtetet e Bashkuara, Halilaj, aktualisht 38 vjeç, udhëtoi në shkollat fillore të Evropës Juglindore për të dokumentuar vizatimet e brezave të fëmijëve në bankat dhe muret e klasave, të cilat më pas u përdorën për të formuar skulpturat e çelikta dhe bronzta në instalacionin e tij në tarracën e Muzeut Metropolitan të Artit në New York.

Titulli i projektit të Halilajt “Abetare”, është i influencuar nga libri ABC në gjuhën shqipe, prej nga ku, artisti kishte mësuar alfabetin – ashtu si edhe i gjithë populli shqipfolës.

Halilaj, i lindur në vitin 1986 në Kosterrc të Kosovës, ka një histori frymëzuese dhe sfiduese. Ai përjetoi ditët e shkollës nën hijen e konflikteve të tmerrshme në Evropë dhe u detyrua të largohej nga shtëpia e familjes kur forcat serbe e dogjën atë gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.

“Tani jeton në Berlin, por Halilaj mbetet i përfshirë thellësisht me Kosovën, ku po këshillon ministrinë e kulturës për krijimin e një muzeu të artit bashkëkohor”, shkruan The New York Times.

“Jemi kapur nga arti i Halilajt, i cili bën balerinën rreth çështjeve të nacionalitetit, familjes dhe seksualitetit përmes një regjistri të dendur të simboleve — veçanërisht zogjve”, thotë artikulli, duke iu referuar përdorimit të simboleve nga Halilaj, me qëllim të eksplorimit të identitetit të tij kulturor e komëbtar.

Përgjatë luftës në Kosovë, artisti kishte qenë një nga shumë refugjatët kosovarë që ikën nga konflikti për tu strehuar në Shqipëri.

Atje, psikologët në një kamp refugjatësh e inkurajuan Halilajn të vizatojë, dhe ajo periudhë formësoi një fëmijë ambidekstër që vizatonte me të dyja duart.

Tutje, Halilaj ka rrëfyer mbi eksperiencën e rikthimit në shkollën e tij të vjetër, ngjarje, që sipas tij kishte ndodhur në vitin 2010 në Runik.

“Në vitin 2010 u ktheva në Runik për pushime. Shkolla ime e vjetër – e cila në fakt i kishte mbijetuar luftës – po shkatërrohej për të ndërtuar një të re. Ushtria serbe kishte djegur 99% të qytetit. Kjo ishte një nga ndërtesat e pakta që kishin mbetur, dhe prapëseprapë do të zëvendësohej me ndërtime të reja, të lira! Dhe kur unë shkova në atë shkollë gjithë ata fëmijë u shfaqën. Disa ishin adoleshentë, por të tjerë ishin shumë të vegjël, ndoshta 8, 9 vjeç: si djaj të vegjël”, thotë Halilaj.

“Një turmë klasike e fëmijëve të këqijë në një qytet të vogël. Unë i doja ata. Disa prej tyre më njihnin, se jam artist dhe më thanë: ‘Duhet të hysh brenda’. Hymë dhe fillova xhirimet. Ata filluan të bëjnë gjithçka që ju nuk duhet të bënin në një shkollë, thjesht argëtim jashtë kontrollit”, shton ai.

Artisti tregoi historinë e vizatimeve që gjeti në bankat shkollore, për të cilat, siç thotë ai, “mbajnë sekrete të mbi katër dekadave”.

“Filluan të pikturonin mbi fotot e heronjve dhe poetëve kombëtarë, gjë që sinqerisht nuk do të kisha pasur kurrë guximin ta bëja kur isha fëmijë. Pastaj njëri nga fëmijët më çoi në një klasë. Dhe pastaj shoh grumbullin e tavolinave të shkollave që para luftës. Tavolinat ishin më të vjetra se unë. Dhe ky fëmijë më thotë: ‘Eja të shikosh vizatimet’, sepse aty ka gjithçka. Këto tavolina përmbajnë 40 vjet sekrete të pavetëdijshme dhe të çmendura”, thotë Halilaj.

“Është ky aspekti enciklopedik, këto shtresa brezash. Por ju gjithashtu shihni se sa lokale dhe globale janë këto gjëra, dhe gjithashtu sa qesharake. Isha shumë i prekur nga gjuha e vizatimit dhe në një moment pashë një humbje tjetër. Këtë herë jo nga lufta, por nga çmenduria e pasluftës, duke kërkuar gjithçka të re. E pyeta drejtorin nëse mund të shpëtoja të paktën një klasë me tavolina. Ai tha: ‘Po, nëse paguani për banka të reja’. Ne bëmë një marrëveshje. Shpresoj që ai i përdori paratë për t’i blerë ato vërtet”, shton ai.

Artisti e cilëson “Abetaren”, një udhëtim personal, të nisur 3 vjet më parë – destinacioni i parë i shfaqjes ishte Kukësi, vendi ku Halilaj kishte qenë refugjat në kohën e luftës në Kosovë.

“Ishte një udhëtim personal. Fillova 3 vjet më parë, duke shkuar në Kukës, në Shqipëri, ku isha refugjat. Më pas në Rozhajë, në Mal të Zi, ku kemi shkuar me pushime para luftës. Qytete shumë, shumë, shumë të vogla. Unë në fakt shkova në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë, ku kisha miq që më dërgonin imazhe”, tha ai.

“Ajo që më habiti, teksa shkoja në shkolla, ishte të ndihesha kaq i lidhur kudo. Për mua, këto vizatime janë një gjuhë e sapomarrë. Kisha ekspertë në arsim, ose nga muzetë, apo edhe artistë vendas, që më shoqëronin kudo. Sepse përndryshe është e vështirë të bindësh një drejtor shkolle se nuk je maniak. ‘A mund të hyj në klasat tuaja për të parë vizatimet e fëmijëve?’. Duhet të gjesh vërtet kohë dhe të ndërtosh besim”, shton ai.

Disa skulptura në çatinë Met i referohen qartë Ballkanit.

Një prej tyre “KFOR”, një referencë për forcën paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

Por ka edhe zogj dhe yje, e dhe Lionel Messi e logoja e Chanel, dhe më pas të njëjtat vizatime të këqija të pjesëve të trupit që mund t’i gjeni edhe në një tavolinë shkolle në Amerikë.

“Është një mënyrë vërtet qesharake për të parë historinë, përmes gjithë këtyre vizatimeve politikisht jokorrekte. Por më pëlqen çuditshmëria në to, këto sekrete. Janë kode. Ju mund të shihni simbolin e euros duke dëmtuar Jugosllavinë”, thotë Halilaj.

Madje, në “Abetare” vëmendje merr edhe shprehja “IDGAF”, një nder, që Halilaj ia ka kushtuar këngës hit me të njëjtin titull të artistes me reputacion botëror dhe origjinë nga Kosova, Dua Lipa.

“Është një lloj nderimi për të, por është gjithashtu një festë e vogël e mundësive të reja. Si në Kosovë, ashtu edhe në rajon, ka një shans që gjeneratat e reja të vënë në dyshim të gjitha këto narrativa statike historike, nacionaliste që janë kaq të vështira për t’u lëvizur”, thotë artisti.

Artisti u pyet se – “pse zogjtë kanë një vend kaq të dukshëm në punën e tij?” – dhe shpjegimi i tij ishte goxha interesant.

“Zogjtë dhe pulat më kthejnë gjithmonë tek libri i ‘Abetares’. Në mësimin për shkronjën P është një djalë me emrin Petrit. ‘Pulat e Petritit’. Petriti dhe pulat. Pra, imagjinoni, kur jeni i vogël, dhe njerëzit ju pyesin: ‘Si e keni emrin?’, dhe unë thosha ‘Petrit’ dhe ata thoshin: ‘Ah, Petriti me pulat!’. Nuk e kuptoja për vite me radhë. Pse jam Petriti me pulat?! E dija që kishim pula në kopshtin tonë… Më vonë, kuptova se të gjithë këta të rritur kishin kaluar këtë Abetare dhe kishin mësuar këtë mësim”, rrëfeu Halilaj.

Pos tjerash, Halilaj ka folur edhe mbi politikën gjuhësore që ishte një çështje me rëndësi dhe shumë prezente në luftërat e viteve të 90-ta.

“Nxënësit u lejuan të mësonin në gjuhën shqipe deri në vitin 1989, me përfundimin e autonomisë. Pas kësaj është kjo histori e klasave të fshehura, universiteteve të fshehura. Shkolla u bë një vend diskutimi, ku mund të shihnim se çfarë do të ndodhte. Abetaren time e dogjën kur dogjën shtëpinë në luftë”, thotë ai.

Halilaj është pyetur edhe nësë ka “një lidhje” mes shfaqjeve të tij që inkoperonin vizatimet e tij si fëmijë, me zogj e lule dhe rivendosjes së vizatimeve të tij si refugjat nisur nga ‘shkarravinat’ që ai ekspozoi në projektin e Met.

“Të vësh në pikëpyetje moshën madhore, ose të vësh në dyshim kanunet e vendosura duke u kthyer në një pjesë të fëmijërisë, është mënyra për të kuptuar botën rreth meje që më tremb më së paku”, thotë ai.

“Duke kaluar nëpër shkolla dhe tavolina, kishte një mënyrë për të ndërtuar një kundër-narrativë: Një rrjet simbolesh, alfabetesh dhe vizatimesh që vijnë në Muzeun Metropolitan dhe formojnë një lloj peizazhi të përbashkët”, shton ai.

Për The New York Tims, Halilaj foli edhe mbi projektin që e kishte shfaqur dy vjet më parë në çatinë e Hotel Grand në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

“Kur dielli largohet, ne pikturojmë qiellin”, ishte fraza më të cilën Halilaj restauroi yjet e shtoi dhjetëra të tjerë, duke e koorigjuar tabelën e “Grand Hotel”.

“Kjo është një vepër që përfundova duke ia dhuruar qytetit, qytetarëve të Prishtinës. Po flasim, fjalë për fjalë, për hotelin ku Tito vinte të flinte. Dhe unë kisha këtë ide që të kthehesha në Kosovë dhe ta ndizja përsëri”, tha ai.

“Bërja e diçkaje të kalbur në një hotel me 28 yje. Poetikisht, ju mund të ëndërroni për diçka më të madhe se hotelet në Dubai, e dini? Por për mua yjet kundrejt qiellit blu të Prishtinës ishin edhe yjet e flamurit të Bashkimit Evropian. Instalacioni ka të bëjë po aq me njohjen ende jo të plotë të Kosovës si një shtet i pavarur evropian”, shton ai mes tjerash.

“Ju keni këto dy projekte në çati, në Prishtinë dhe në Nju Jork, të dyja të rrënjosura në zërat e fëmijëve. Dhe ajo që më intereson më shumë është se si zërat e këtyre fëmijëve, edhe pse ata çimentojnë një pretendim për pavarësinë e Kosovës, u shpëtojnë edhe kurtheve nacionaliste tek aq shumë advokimi artistik”, ishte një pyetje tjetër e prestigjiozes drejtuar Halilajt.

“Në Met ka një ekuilibër. Ndoshta ka disa simbole nacionaliste. Por ju keni një zemër të madhe. Ju keni të shkruar ‘Michael Jackson’ në muret e Shqipërisë. Keni axhenda në grup, por edhe gjëra personale. U ndjeva si një arkeolog, duke zbuluar se si njerëzit janë shumë më të ndërlidhur, më globalë, më njerëzorë sesa politika kombëtare që dominon në këtë zonë të Evropës. Dhe për mua, ky është vërtet një lajm i mirë”, tha Halilaj.

Përfundimisht, The New York Times vlerëson se Halilaj është një artist që meriton vëmendje për mënyrën e tij të veçantë të të shprehurit përmes artit dhe për aftësinë e tij për të kapërcyer kurthe nacionaliste që shpesh shoqërojnë artin e angazhuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore