Lajme

Sa do të pengojnë manovrat ajrore të NATO-s fluturimet civile në Evropë


Nga data 12 deri më 23 qershor, NATO do të zhvillojë manovrat më të mëdha ajrore në historinë e saj, “Air Defender 2023”, të cilat mund të krijojnë ndërprerje në trafikun ajror civil në Evropë, me fillimin e pushimeve shkollore.

Të udhëhequr nga Gjermania, deri në 10 mijë pjesëmarrës nga 25 vende do të praktikojnë operacionet ajrore në hapësirën ajrore evropiane nga 12 deri më 23 qershor.

Në stërvitje do të marrin pjesë rreth 250 avionë të 23 llojeve të ndryshme, shumica e të cilëve janë nga SHBA-të (100) dhe Gjermania (70), shkruan Deutsche Welle (DW).

Air Defender 23 është një skenar sfidues për stërvitjet e operacioneve ajrore të NATO-s, bazuar në nenin 5 të Aleancës, i cili i referohet mbështetjes reciproke në rast sulmi.

Gjermania ka rolin e një qendre mbrojtëse në Evropë. Stërvitja u iniciua nga Gjermania në vitin 2018 dhe që atëherë janë bërë plane dhe po mbahet nën udhëheqjen e Luftwaffe gjermane.

Manovrat do të zhvillohen kryesisht mbi Gjermani, në korridoret e planifikuara.

Duke qenë se në Gjermani zhvillohen rreth 8 mijë fluturime civile çdo ditë, pasojat për segmentin civil janë të pashmangshme gjatë stërvitjes ushtarake të NATO-s në mes të qershorit.

Ekspertët presin pasoja më të mëdha veçanërisht në Frankfurt, Hamburg dhe Berlin, dhe pak më pak në Mynih.

“Aktualisht nuk ka asnjë anulim fluturimi të planifikuar”, tha Arndt Schoenemann, kreu i kontrollit të trafikut ajror gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore