Lajme

Rusia ndryshon kurs, vendos në vijë të parë mercenarët ‘Wagner’


Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar se mercenarëve rusë “Wagner” iu është dhënë përgjegjësi për sektorët e vijës së parë në Ukrainë.

Firma private ruse “Wagner” ka të ngjarë të jetë caktuar përgjegjësi për sektorë të veçantë të vijës së frontit në Ukrainën lindore.

Kështu deklaroi ministria e Mbrojtjes e Britanisë në një përditësim të inteligjencës.

“Ky është një ndryshim i rëndësishëm nga punësimi i mëparshëm i grupit që nga viti 2015, kur ai zakonisht ndërmori misione të ndryshme nga aktiviteti i rregullt ushtarak rus në shkallë të gjerë”, tha Britania në një buletin të rregullt të inteligjencës në Twitter të premten.

Sipas tyre, forcat e “Wagner” nuk kanë gjasa të jenë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim të rëndësishëm në trajektoren e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

Grupi Wagner, është një organizim i vogël ushtarak, i cili bazën për të vepruar e ka vendosur pikërisht në Donbass në vitin 2014, pas krijimit të rajonit separatist rus në territorin e Ukrainës.

Emërtimi “Wagner”, vjen prej muzikantit dhe kompozitorit të njohur Richard Wagner, por aspak për arsyet që mund të mendohet. Wagner ka qenë muzikanti i preferuar i ish-diktatorit gjerman, Adolf Hitler dhe ndaj është vendosur ky emër.

Të gjithë pjesëtarët janë midis 35-55 vjeç. Kërkesa kryesore për ta, është të jenë tërësisht të padukshëm në veprimtarinë e tyre.

Nëse gjatë misioneve të tyre, mercenarët mbijetojnë, atëherë ata marrin nderimet më të larta ushtarake në Rusi.

Nëse vdesin – rreth 200 në Siri, qindra në Ukrainë apo dhjetëra në Libi – askush nuk e merr vesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore