Sport

Rrugëtimi i Arbër Zenelit – një shembull për të gjithë futbollistët kosovarë


Më 28 mars Kombëtarja e Kosovës do ta zhvilloj ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës, “Katar 2022”, përballë Kombëtares së Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kur përmenden përfaqësueset e këtyre dy shteteve, pa dyshim që futbollisti që te vjen ndërmend është lojtari i përfaqësueses dardane, Arbër Zeneli.

Arbëri ka lindur në shtetin e Suedisë nga prindërit kosovarë dhe ka nisur karrierën në skuadrën Halsinggardens AIK për të rinjtë, më pastaj atë e kishte transferuar në moshën 12 vjeçare skuadra tjetër suedeze Elfsborg.

Ai e kishte nisur karrierën profesionale me Elfsborgun në vitin 2014, si nëntëmbëdhjetë vjeçar, dhe për një vit e gjysmë qëndrimi në këtë ekip, ai i bëri 46 paraqitje dhe shënoi 14 gola.

Forma e shkëlqyer që Zeneli po kalonte te klubi i tij Elfsborg, bëri që përzgjedhësi i Kombëtares u21 të Suedisë, ta përfshijë atë në grumbullimin e Kampionatit Evropian.

Në Kompeticionin më të rëndësishëm në nivel Kombëtaresh në Evropë, Suedia U21, së bashku me Arbër Zenelin, arritën që të shpalleshin kampionë të Evropës, duke e mposhtur Portugalinë në finale përmes  penalltive.

Më pas Zeneli, u rikthye te klubi i tij Elfsborg, por ai luajti atje vetëm për gjysmë sezoni, pasi që në janar të vitit 2016 u transferua te klubi i famshëm holandez Heerenveen për shifrën e rreth 2 milion euro.

Më pas vjen momenti ndër më të mirët për tifozët dardanë, kur Arbëri refuzoi ftesën e Kombëtares suedeze, vetëm për të luajtur për ekipin Kombëtar të vendit të tij, Kosovën.

Zeneli pati paraqitje fantastike me Dardanët, dhe më pas në janar të vitit 2019, ai u transferua te skuadra franceze Reims, ku aktualisht edhe po luan.

Por një fat i keq e përcolli kosovarin, teksa u lëndua në mars të vitit 2019 derisa po luante pikërisht me Kosovën kundër Malit të Zi, dhe kur u rikthye nuk ishte më i njëjti.

Gjithsesi ai i’u rikthye formës që kishte dikur, ku gjithnjë e më mirë po luan si me klubin e tij Reims, ashtu edhe me Kombëtaren e Kosovës.

Ai me klubin e tij Reims, ka arritur të shënojë gjashtë gola, në 40 paraqitje, pavarësisht lëndimit që e pati për thuajse një vjet.

Gjithashtu edhe me Kombëtaren e Kosovës, Arbëri thjesht ka qenë i mrekullueshëm, ku në 23 paraqitje ka arritur të shënojë nëntë gola.

Se është një lojtar vërtetë i mirë, Arbëri e dëshmoi edhe në ndeshjen e fundit miqësore që Kosova e zhvilloi kundër Lituanisë më 24 mars, duke shënuar dy super gola.

Pas kësaj ndeshje të mrekullueshme, tani Dardanët do të zhvillojnë ndeshjen e parë kualifikuese të Kupës së Botës.

Arbëri në ndeshjen e së dielës kundër Suedisë, do të ketë kundërshtarë disa shokë të tij me të cilët e fituan Kampionatin Evropian në vitin 2015.

Lojtarët të cilët tani janë të grumbulluar me përfaqësuesen suedeze, e me të cilët Zeneli triumfoi në vitin 2015 janë: Quaison, Olsson, Augustinsson, Helander dhe mbrojtësi i Manchester United Victor Lindelof.

Dhe të gjithë kosovarët presin që Abër Zeneli të shkëlqejë pikërisht ndaj ish-shokëve të ekipit të tij, kështu duke siguruar tre pikët e para për Kosovën, dhe të vazhdojmë kampanjën kualifikuese me sukses.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore