Lajme

Rritet numri i infeksioneve ditore me variantin Delta në Izrael


Me 855 raste të reja të konfirmuara me COVID-19 të enjten, Izraeli regjistroi ditën më të lartë të katër muajve në infeksionet e përditshme të coronavirus-it. Por, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë ditëve të fundit, rastet serioze kanë filluar të stabilizohen.

Megjithëse varianti Delta vazhdon të përparojë, numri i rasteve serioze ka rënë. Izraeli, deri më tani, ka 5 mijë e 817 raste aktive dhe 6 mijë e 443 njerëz kanë vdekur nga virusi.

Zyra e kryeministrit Naftali Bennett njoftoi të premten në mëngjes se do të thërrasë një takim ndërministror për të diskutuar për masat kundër variantit D, i cili po përhapet në të gjithë botën.

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, Mbrojtjes, Brendshme, Financave dhe Transportit do të marrin pjesë në takim.

Ndërsa muajin e kaluar rastet e reja ditore kanë shënuar rritje të shpejtë, rritja ditore e infeksioneve është akoma më e ulët sesa parashikimi i Ministrisë së Shëndetësisë afërsisht dy javë më parë, i cili parashikonte që Izraeli do të përballej me 600 raste të reja të coronavirus-it në ditë brenda një jave, dhe 1 mijë në ditë pas 10 ditëve.

Varianti Delta i virusit, i cili ka origjinën në Indi, është dy herë më ngjitës sesa lloji fillestar dhe është bërë lloji dominues i virusit në Izrael.

Qeveria izraelite njoftoi të enjten një propozim, sipas të cilit shtetasit, që janë vaksinuar kundër COVID-19, të shëruarit apo ata që kanë marrë një rezultat negativ të testit të kohëve të fundit, të marrin pjesë në evenimente edhe në ambiente të mbyllura.

Duke folur në një konferencë shtypi, kryeministri Naftali Bennett tha të mërkurën se Izraeli mund ta mundë variantin Delta brenda pesë javësh.

“Ne kemi dy mundësi: opsioni i parë është të qëndrojmë indiferentë, të themi se është problemi i qeverisë dhe më pas rastet do të rriten dhe ne do të duhet të zbatojmë një bllokim; opsioni tjetër është që secili prej nesh të marrë përgjegjësin e tyre, dhe mund ta përfundojë gjithë këtë situatë në pesë javë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore